Në adresë të Presidentit dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, Presidentes dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kancelarit gjerman Olaf Scholz, Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Antony Blinken, kanë mbërritur letra që mbajnë firmën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas Ahmetit, kërcënime serioze për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit në tërësi, përbëjnë planet për shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndalimi i identifikimit të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i një shumice qeverisëse pa përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike.
Nga BDI-ja kanë bërë publike letrën drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku e quajnë të domosdoshëm angazhimin e tij për të sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet relevante për këtë krizë kushtetuese dhe politike.
“Këto tre goditje të mëdha ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë një kërcënim serioz për paqen, stabilitetin, harmoninë ndëretnike dhe demokracinë multietnike në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë thjesht çështje të brendshme politike, por kanë pasoja të rënda për rajonin dhe për stabilitetin e tij. Këto ndërhyrje kërcënojnë të zhdukë elementet kyçe të paqes dhe të barazisë, duke na kthyer në kushtet e para vitit 2001, që ishin shkaktarët e krizës dhe luftës së atij viti” – thuhet në letrën e Ahmetit.
Në këtë moment kritik, sic thuhet në letrën drejtuar Kryeministrit Rama, Ali Ahmeti bën thirrje për veprim të përbashkët dhe të vendosur për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve.