Qëndroi i heshtur prejse u bë e ditur se është një nga pretendentët kyç për të mbushur vendin e Miroslav Lajçakut në pozitën e lehtësuesit të dialogut, por më në fund, ish-presidenti slloven, Borut Pahor, i tha një dy-tri gjëra për një dy-tri gjëra në eventualitetin e ardhjes së tij në at post.
Mesazhe i dërgoi Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për çështjen e Asociacionit ndërsa edhe më shumë Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq; këtij të fundit në spektre më të gjera se sa thjesht të një obligimi të papërmbushur.
Liderëve evropianë, tha Pahor, “u them që kam përgjigje për shumë pyetje të dialogut (Kosovë-Serbi) përveç një gjëje, që është pyetja jonë e përbashkët…”.
“Cili është qëndrimi ynë kundrejt Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij? A e shohim ne atë si problemin apo si pjesë të legjitime të këtij procesi politik”, shtroi pyetjen Borut Pahor në intervistën e tij në N1.
Këtu u pyet për deklaratën e Vuçiqit dhënë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se “sllovenët janë të gërditshëm”.
“Deklarime të tilla, të pandershme, nuk duhet të dënohen as në politikë të brendshme e as të jashtme”, tha Borut Pahor. “Këto janë lajthitje që në fakt e dëmtojnë më së shumti atë që deklarohet kështu”.
Pahor i qëndroi mantrës perëndimore – ndonëse tha se “jo gjithkush mendon kështu” – se “duhet të bëjmë ç’mos që ta ngrejmë Serbinë në anën tonë: dhe atë pavarësisht asaj se çfarë ne mendojmë për Presidentin Vuçiq dhe qeverinë e tij”.
Ku i pati tonet e prera ishte për çështjen e Banjskës – sulmit paraushtarak dhe terrorist – ku ndonëse evitoi termin “sulm terrorist” e vendosi paralelelen me ‘little green men’ në Krime të 2014’ës.
“Nëse autoritetet zyrtare të Serbisë ishin prapa kësaj, e dinin, e mbështeten apo çkado qoftë…kjo është tejet shqetësuese dhe ma ndërron pikëpamjen time se si të mund të jetë e mundur që të ketë marrëveshje (për normalizim me Kosovën) me këto autoritete aktuale”, ka thënë Pahor.
“Askush nuk ka ende një përgjigje përfundimtare për këtë, por ishte një akt shqetësues që në fakt e bëri të qartë se një luftë e vërtetë, jo vetëm incidente, mund të rikthehej edhe në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Pahor.
U pyet eksplicit “a ishte sulm terrorist”, por këtu Pahor e ktheu në gjuhë diplomatike.
“Kishte dyshime, pasi bëhej fjalë për veprime që të kujtonin shumë hapat e parë të hedhur nga ushtarët rusë në Krime.Por këtu nuk mund të bëjmë paralele sepse nuk e dimë saktësisht se për çfarë bëhej fjalë”, shtoi ai, transmeton nacionale.
“Prandaj, më duket se do të ishte në interes të autoriteteve serbe që të jenë jashtëzakonisht transparente për veprimet e atyre që ishin përgjegjës për incidentet e fundit, por kjo ende nuk ka ndodhur”.
Për atë se si pret që të vazhdohet me Radojçiqin, të jep llogari në Serbi apo të dorëzohet në Kosovë – siç kërkojnë autoritetet kosovare – Pahor ishte ca ambig.
“Këtu presim që të veprohet në përputhje me ligjet, serbe dhe ndërkombëtare, të cilat do t’i korrespondonin sanksioneve për një akt të tillë, i cili nuk duhet të ketë të drejtë atdhetare as në Serbi, as në Kosovë dhe as askund në bashkësinë ndërkombëtare”, shtoi ai.