Pavarësisht se në përbërjen e “Listës për familjen” ka drejtues dhe anëtarë që e praktikojnë fenë islame, ky koalicion, me të cilin do të garojnë disa subjekte politike në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, nuk do të ketë sfond fetar në të bërit politikë.
Kështu thonë përfaqësuesit e kësaj liste, sipas të cilëve “mbrojtja e vlerave tradicionale familjare” është kauza që i ka bërë bashkë ata.
“Nuk do ta dëgjoni asnjërin prej protagonistëve të koalicionit tonë që do të hyjë në debate me tema fetare”, thotë Ferid Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë.
Kjo parti me orientim konservator është pjesë e koalicionit parazgjedhor “Lista për familjen”, bashkë me partinë Aleanca Kosova e Re (AKR) të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe politikanë të tjerë.
“Lista për familjen” u regjistrua si koalicion në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në gusht.
Blerim Latifi, profesor i Filozofisë Klasike Politike dhe Religjionit në Universitetin e Prishtinës, thotë se ajo ka ngjyrime fetare.
“… jo vetëm të islamit politik, por edhe të rrymave më radikale, të cilat e sforcojnë një interpretim jobashkëkohor, jomodern të islamit”, thotë Latifi.
Qasjen e deritashme në politikë të subjekteve të caktuara brenda “Listës për familjen”, ai thotë se e sheh si përpjekje që, përmes përdorimit të retorikës fetare, “të depërtojnë brenda sistemit politik dhe të sfidojnë ligjin themelor të shtetit, që është ligji i një shteti laik”.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton shtetin si “laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”.
Lista që bashkon konservatorët dhe liberalët
Aleanca Kosova e Re, sipas statutit të saj, ka orientim liberal demokratik të qendrës, ndërsa Partia e Drejtësisë është konservatore.
Radio Evropa e Lirë pyeti Bejtush Gashin, kryetar i shtabit zgjedhor të AKR-së, se kah cili drejtim ideologjik do të anojë “Lista për familjen” – kah liberalizmi apo konservatorizmi?
Ai pranon se kauza rreth së cilës janë bashkuar në koalicionin “Lista për familjen”, kërkon qasje konservatore të të bërit politikë, por programi me të cilin do të garojë ky koalicion në zgjedhje, thotë se do të përfshijë edhe frymën liberale.
“Do të bëjmë përpjekje maksimale liberale… që të ruhet fryma liberale, të ruhet vija e orientimit të qartë të Kosovës në proceset integruese kah Bashkimi Evropian, pra për integrimet euroatlantike dhe proceset tjera”, thotë Gashi.
Ai shton se konservatorizmi i kauzës me të cilën garon “Lista për familjen”, nuk nënkupton përfshirjen e çfarëdo sfondi fetar.
“Kemi një dakordim në këtë fushë [me partnerët e koalicionit]. Por, tani, pjesa fetare besoj se do të jetë pjesë e zbatimit të standardeve që çdo shtet i ka, si dhe lirive dhe të drejtave të njeriut që lidhen me fushën e besimit fetar”, thotë ai.
Vlerat konservatore “korrespondojnë me ato fetare”
Konservatorizmi progresiv demokratik është baza ideologjike mbi të cilën vepron Partia e Drejtësisë, thotë kryetari i këtij subjekti politik, Ferid Agani.
Ai shton se ky konservatorizëm nuk përjashton sfondin fetar, i cili korrespondon me vlerat konservatore.
Sipas tij, platformat e tilla nuk janë shpikje të reja në Kosovë, por ekzistojnë edhe te partitë konservatore në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.