Ish-deputeti i VV-së Visar Korenica tha se brenda VV-së ka shumë deputetë që nuk i mbeshtesin këto ligje dhe janë kundër, por që nuk kanë marrë ndonjë konfirmim për mbështetjen e kauzës së tyre.
Korenica për RTV21 ka treguar se si erdhi puna për bashkimin me AKR-në dhe PD-në.
”Kjo nismë ka filluar prej nesh, prej deputetëve. Nuk do të ishte e ndershme për të qëndruar në subjekt për të bërë pengesa tjera, kemi kontaktuar të tjerët qe dëshirojnë t’i bashkohen kësaj kauze, kemi telefonuar Aganin dhe Pacollin dhe kanë pranuar pa hezitim”, tha Korenica.
Ai ka thënë se njëra ndër arsyet që janë larguar nga VV-ja është edhe korrupsioni qeveritar.
”Kemi hasur në të tilla raste që mbështetin anëtarë të afërt të ministrave, punësime të ndryshme për neve kanë qenë të papranueshme nuk kemi qenë të kënaqur edhe për shumë çështje tjera që kanë qenë të neglizhuar. Prokuroria ka filluar të hetojë raste korruptive të tenderëve që kanë ndodhur, rastet që përfundojnë në Prokurori janë raste tipike të korrupisionit”, tha Korenica.
Sipas tij, VV-ja u shëndrrua në një subjekt politik i cili ka një brendësi që nuk ka qenë e njohur për publikun po edhe për pjestarët e vetë VV-së.
”VV u shëndrrua në një subjekt politik i cili përveç tjerash shpërfaq një brendësi që nuk ka qenë e njohur për publikun po edhe për pjestarët e VV-së duhet të jetë e qartë duhet të mos i fshehë qëllimet për pushtet”, tha Korenica.
Ai tha se nuk ka inate personale me kryeminstrin Albin Kurtin, teksa ka thënë se nuk ka ”zhgënjim personal, por publik”.
Ai tutje ka shtuar se ligjet që sipas tij, cënojnë mirëqenien e familjeve nuk kanë qenë pjesë e programit zgjedhor me të cilin ka garuar VV-ja, teksa ka thënë se Mimoza Kusari ka qenë ajo që ka këmbëngulur që këto ligje të projektohen.
”Kusari ka qenë promotroja e këtij problemi, ngulte këmbë që këto ligje të projektohen, është edhe Kurti që i ka mbështetur këto ligje, të cilat nuk kanë qenë temë e diskutimit para zgjedhjeve nuk kanë qenë pjesë e programit zgjedhor”, tha Korenica.
Ai ndër tjera ka shtuar se pas gjithë këmbë nguljeve e kanë parë që nuk mund ”të vazhdohet me tradhti”.