ABU DABI- Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe firmosin sot marrëveshjen trilaterale për linjën nënujore e transmetimit energjetik mes Shqipërisë e Italisë. Kryeministri Edi Rama ndodhet në Abu Dabi ku do të firmosë marrëveshjen së bashku me kryeministren e Italisë dhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në një videomesazh Rama tha se marëveshja është një hap më tej drejt ambicies për tu bërë të pavarur nga importi dhe i jep Shqipërisë rol si ekspertues në BE.
Një tjetër gur kilometrik në rrugën tonë drejt pavarësisë energjetike. Së bashku me kryeministrin e Italisë, miken e shtrenjtë Meloni, e me ftesë të presidentit të Emirateve të bashkuara Arabe, një tjetër mik i posacëm, sheiku Muhamed bin Zajed, finalizojmë marrëveshjen trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë e Italisë dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri
]Lidhja do të ketë pronësi të trefishtë dhe do të mbështetet nga investimet domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë. Kjo shkon në funksion të ambicies tonë për tu bërë të pavarur nga importi na jep dhe rol si ekspertues në BE, thotë Rama.
Energjia e prodhuar nga dielli ka kaluar nga 0 në 10% të prodhimit të brendshëm energjetik dhe qeveria synon ta trefishojë brenda mandatit të 4-të.
Shqipëria është sot vendi me kapacitetin më të lartë të vetëprodhuesve familjarë apo biznes nga energjia diellore në rajon, që nga zero deri në 10% dhe plani ynë është të arrijmë në 30% brenda mandatit të katërt.
Veç marrëveshjes “Korniza e partneritetit strategjik trepalësh për energjinë dhe infrastrukturën”, e lidhur ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës Italiane dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, do të firmosen dhe marrëveshje të tjera dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara, në fushën e bujqësisë dhe të financave.
Rama shoqërohet në këtë vizitë nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministri i Financave Petrit Malaj.