Pritet që përfaqësuesja e re e lartë e BE-së, Kaja Kalas, të zgjedhë danezin, diplomatin e karrierës dhe ish-përfaqësuesin special të BE-së për Bosnje-Hercegovinën, Peter Sorensen, në rolin e emisarit të dialogut Kosovë-Serbi.
Siç shkruan sot Radio Evropa e Lirë, në versionin serb-koratisht, Sorensen është caktuar pasuesi i Lajçakut si ndërmjetësues në dialog.
Siç thuhet në tekstin e Radio Evropës së Lirë, turneu i parë i Kaja Kalas në Ballkanin Perëndimor pritet pas zgjedhjeve në Kosovë, të cilat do të mbahjen me 9 shkurt.
Lajçak së fundi ka vizituar SHBA-në, ku ndër të tjera ka takuar ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, James O’Brien dhe zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanoff.
Lajçak ishte emëruar emisar i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe çështjeve të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor më 2 prill 2020, dhe së fundi Brukseli ia zgjati mandatin deri më 31 janar, kur, sipas Radio Evropës së Lirë, ai tani do të zëvendësohet nga Peter Sorensen.