Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidenten Vjosa Osmani ku riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një Kosovë multietnike që siguron të drejtat dhe përfitimet e të gjithë qytetarëve të saj.
Në një postim në platformën “X” ai gjithashtu falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetje tndaj Ukrainës dhe popullit afgan.
Zëvendëssekretari Verma theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis dy qeverive dhe theksoi se koordinimi i vazhdueshëm është kyç për zhvillimin e një partneriteti konstruktiv dhe të qëndrueshëm.
”Ishte kënaqësi të takohesha me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Premtova mbështetjen e SHBA-së për një Kosovë multietnike që u shërben të gjithë qytetarëve të saj dhe e falënderova Kryeministrin për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe afganëve në nevojë. Koordinimi mes qeverive tona është thelbësor për një partneritet konstruktiv”, shkroi Verma në X.
Zyrtari amerikan ka shkruar edhe për presidenten Vjosa Osmani ku ka përmendur edhe Dialogun Strategjik.
“Jam i kënaqur të takohem me Presidenten Vjosa Osmani. Ne ra dakord të krijojmë një Dialog Strategjik bilateral për të diskutuar forcimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e prosperitetit, dhe bashkëpunimin për interesat tona të përbashkëta rajonale dhe globale, dhe promovimin e statusit të Kosovës si një vend demokratik dhe multietnik” shkroi Zëvendëssekretari Verma në një postim.
Ai riafirmoi angazhimin për integrimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike.
“Partneriteti ynë i qëndrueshëm mbetet i angazhuar për avancimin e integrimit të plotë të Kosovës në Euro-Atlantik,” përfundoi ai.