Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka ngritur shqetësime lidhur me procesin e votimit përmes postës nga diaspora, duke paralajmëruar rrezikun e manipulimit dhe shkeljeve ligjore që mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve jashtë vendit.
Ai para anëtareve të KQZ-së ka lëshuar një video që është shpërndarë në rrjete sociale, ku u bëhet thirrje atyre që janë regjistruar që të votojnë me postë, që të marrin ndihmë sesi të votohet.
Mirëpo sipas tij, ndihma po u jepet në zyre të partive apo vendvotime të improvizuara.
Gashi e ka quajtur këtë të kundërligjshme dhe ka kërkuar që Prokuroria e shtetit të hetojë këto raste. Ai shtoi se votimi përmes postës duhet të jetë individual dhe çdo ndërhyrje apo ndihmë që ndikon te votuesi bie ndesh me ligjin dhe integritetin e procesit zgjedhor.
“Më duhet ta ngris një shqetësim se në janar ka filluar procesi i votimit në diasporë dhe e dimë që ky proces është vështirë i monitoruar nga ne, sepse është e pamundur që të kemi njerëz për ta përcjellë pjesën e votimit përmes postës. Ka tendencë të hapur publike për t’u manipuluar procesi në disa raste të fillimit të procesit të diasporës”.
“Dje kam pranuar nga rrjetet sociale video, të cilët i ftojnë votuesit përmes postës që t’u ndihmojnë që të votojnë. Këto janë tendenca për ta kontaminuar këtë proces. Nuk lejohet improvizim i votimeve nëpër kafiteri, zyra të partive. Ekziston rrezik që persona që japin ndihmë në këto vendvotime të improvizuara mund të kenë ndikim në votim. Së treti, votimi i postës duhet të jetë individual. Këto janë vepra penale. Nuk guxojnë praktika të tilla të instalohen. I bëj thirrje Prokurorisë së shtetit që të marrë masa”, ka thënë Gashi.
Anëtari i VV-së në KQZ Sami Kurteshi, tha se çështja e ngritur nga Gashi nuk është për t’u shqetësuar, raporton EO.
Sipas tij, është e lejuar që partitë t’i bindin votuesit që të votojnë një parti të caktuar, por që nuk është e lejuar që dikush të votoj për dikë.
“Nuk është shqetësim, është shqetësim i një natyre tjetër. Por, gjithkush e ka obligim që t’i ndihmojë deri në momentin që nuk shkruan me dorën e vetë në votën e tij. Kolegu do të shpërndaj një skepticizëm, një dyshim te njerëzit që askush askujt të mos i ndihmoj”, ka thënë ai.
Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, ka thënë se KQZ-ja ka kryer një punë të shkëlqyeshme duke njoftuar diasporën se si duhet të votohet, e sipas tij, videot e shpërndara në rrjete sociale për ndihmë për votuesit me postë nuk janë në rregull.
“Ky institucion i yni e ka kryere punën në mënyrë të shkëlqyeshëm. Pjesët tjera edhe ndihmat se hajdeni këtu se na u orientojmë s si. Asistim në grup është ai. Unë konsideroj që nuk është në rregull”, ka thënë ai.