Bylisi e nis 2025-ën me sfidën ndaj Dinamos, që luhet të premten në stadiumin “Adush Muçaj”, në orën 13:30. Ballshiotët kanë zhvilluar dje një ndeshje kontrolli, pas së cilës trajneri Nevil Dede dhe stafi i tij kanë një ide më të qartë për formacionin anti-Dinamo.
Kundërshtari është skuadra e fatit për këtë sezon, pasi në dy ndeshje ndaj bluve Bylisi ka marrë 4 pikë. Mallakastriotët do të guxojnë edhe këtë herë për të marrë maksimumin ndaj kryesuesve të Superiores, por janë të vetëdijshëm që nuk do të jetë aspak e lehtë. Ata do të kenë edhe mbështetjen e tifozëve, të cilët po organizohen për këtë sfidë të parë të vitit. Bylisi mban vendin e parafundit aktualisht, me 18 pikë, po aq sa ka edhe Tirana e vendit të 8-të. Në ndeshjet shtëpiake ballshiotët kërkojnë 3 pikët ndaj çdo kundërshtari për të arritur objektivin e mbijetesës në Superiore.
MERKATO – Grupi i lojtarëve ka ndryshuar në krahasim me dy fazat e para, janë larguar 4 lojtarë dhe ende nuk është bërë ndonjë afrim. Drejtuesit e klubit kanë pohuar se do të bëjnë afrime cilësore, madje në çdo repart, por ndryshe nga vera, këtë herë strategjia është ndryshe. Ata nuk duan të nxitohen, aq më tepër që kanë një organikë të pasur aktualisht. Qëllimi është për të afruar ndonjë lojtar që vërtet bën diferencën dhe mundësisht që e njeh mirë Superioren. Mbetet për t’u parë tani se çfarë do të ndodhë konkretisht sa u takon përforcimeve, por është fakt se tregu afron pak alternativa.