Dy ministra të Qeverisë së Kosovës uruan dhe festuan krishtlindjet ortodoske në shtëpinë e Sasha Iliqit në Shtërpcë të martën.
Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, së bashku qëndruan për vizitë dhe festë në shtëpinë e Iliqit, i cili gati dy vjet më parë u arrestua për përfshirje në aferën ‘Brezovica’.
Iliq, një banor i etnitetit serb në Shtërpcë, ish-zyrtar komunal, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për ryshfet në rastin Brezovica.
Në shtëpinë e tij ishte kryer një bastisje në 16 mars të vitit 2023. Policia i kishte gjetur dy pistoleta në shtëpinë e Iliqit, asokohe menaxher i Qendrës së Skijimit ‘Brezovica’.
Përveç pistoletave, nga ky operacion në shtëpinë e Iliqit ishin sekuestruar fishekë të kalibrave të ndryshëm, 4 mijë e 600 euro kesh, një telefon celular, tri radiolidhje, një gaz maskë, një thikë ushtarake dhe një pushkë gjuetie.