Dorëshkrime të veprave të njohura të shkrimtarit Ismail Kadare, letërkëmbime me personalitete të njohura të letërsisë botërore janë bërë publike për herë të parë në një ekspozitë të veçantë, Ekspozita është çelur në shtëpinë-studio Kadare, në këtë janar të datëlindjes së shkrimtarit, të parin pa të.
Janë dorëshkrime të panjohura të shkrimtarit Ismail Kadare dhe letërkëmbime të tij, që bëhen publike për herë të parë në një ekspozitë të çelur në shtëpinë-studio që mban emrin e tij. Disa prej dokumenteve lidhen me një prej kryeveprave të tij, dorëshkrimi i “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, korrespodenca me aktorin dhe regjisorin e madh francez Michel Piccoli për të realizuar filmin bazuar mbi këtë vepër, si dhe një kopje origjinale e skenarit janë të hapura për publikun.
Dorëshkrimi i veprës së tij për Eskilin, një përmbledhje apo ‘outline’ i tij i parë për veprën “Emblema e dikurshme”, dorëshkrimi i parafundit i “Prilli i thyer” dhe romanit “Dimri i madh” etj janë gjithashtu mes atyre që ekspozohen.
Në ekspozitë, një letër me mjaft vlerë, ajo e romancierit të madh gjerman, më vonë nobelist, Gunter Grass që ia drejtonte Kadaresë në vitin 1987 në emër të Akademisë së Arteve të Berlinit.
“Ai kërkonte një shkrimtar shqiptar, i cili kishte kaluar kufijtë, për të shkuar në Amsterdam, në një takim evropian që do të mbahej, për të folur se si dy blloqet Lindje dhe Perëndim nuk duhej të ishin më dy blloqe politike që ndanin, por do të duhej të gjenin ura lidhëse. Sipas Gunter Grassit ky është edhe një mision i shkrimtarëve, jo vetëm politikanëve dhe shoqërisë civile.”, – tregon Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpisë-studio ‘Kadare’.
Me vlerë të rëndësishme është edhe korrespodenca e shkrimtarit me Zef Skiroin dhe komunikimet me përkthyes të ndryshëm për ta sjellë veprën e tij në gjermanisht, rumanisht, anglisht e deri në gjuhën libaneze etj. Mes tyre është edhe një letër e shkruar nga komuniteti arbëresh për Kadarenë, ku i kërkojnë përkthimin e Doruntinës.
Veç dorëshkrimeve gjen edhe detaje të veçanta nga jeta e shkrimtarit, siç janë ftesat për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, foto të rralla të tij, ku Kadare shfaqet duke qeshur, një pikturë-portret me autor ende të panjohur, apo një letër që i dërgon ndërmarrjes së elektrikut, në lidhje me probleme të energjisë elektrike të pallatit, një letër të një admiruesi amerikan, që i kërkonte me autograf librin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, si dhe një rast ku Ismail Kadare kërkon leje për të shkuar në Paris për promovimin e veprës së tij, por leja i mohohet.
Në ekspozitë një dorëshkrim i antologjisë së prozës shqipe në Francë, e shkruar në vitin 1980 nga Kadare, e dhuruar nga studiuesi Xhevat Lloshi, i cili rrëfeu historinë e veçantë të një autokritike të detyruar të shkrimtarit.
“Unë kam qenë në atë kohë kryeredaktor i gazetës “Dita” dhe për këtë arsye, sigurisht kisha marrëdhënie të ngushta edhe me Ismailin dhe kam ruajtur disa nga dorëshkrimet e tij. Madje mund t’iu them kam edhe një dorëshkrim tjetër, krejt të posaçëm, të veçantë që nuk e kam sjellë sot për shkak të një pleniumi të famshëm të asaj kohe. Ismail Kadaresë në ditët që u bë pleniumi i kërkuan që në fjalimin e tij të bënte edhe një autokritikë. Ismaili nuk e kishte përgatitur autokritikën. Pastaj u detyrua ta shtonte aty dhe unë kam dorëshkrimin. Jo vetëm kaq, por unë e kisha çuar për shtyp gazetën, tetë faqet e brendshme dhe mund t’ju duket e çuditshme: 5 mijë faqe të gazetës u dogjën që të mos ishin pa autokritikën e tij. Kam ruajtur dhe nujë numër të asaj gazete dhe është i vetmi që ekziston.”, – rrëfen studiuesi Lloshi, i cili bën me dije se ka qenë për 4 vjet në një klasë si student me Ismail Kadarenë dhe ndan të njëjtën datë lindjeje me të: 28 janar.
Ndërsa botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri thekson rëndësinë e ekspozitës, me dorëshkrimet si pika e vetme e takimit të botuesit me autorin.
“E vetmja pikë ku takohemi është dorëshkrimi. Kadareja duke qenë besnik i shkrimit me dorë, kjo ka qenë një lidhje shumë e bukur, prekëse, domethënëse por dhe me përgjegjshmëri shumë të madhe. Unë duhej të çoja këtë dorëshkrim në redaksi dhe të mendoni që ishte diçka unike, një kopje e vetme.”, – thotë Hudhri.
Për të pranishmit foli edhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Frida Pashako, e cila theksoi se ajo çfarë ruhet në këtë shtëpi-studio është vërtet një thesar.
“Në momentin që Bashkia vendosi të blente këtë apartament, familja na dhuroi çfarëdo gjëje këtu brenda. Kakuja kishte mbuluar dhe ruajtur me fanatizëm çdo gjë. Mënyra si do eksplorohej ishte duke i hapur këto kanata. Kjo ekspozitë është një hap i parë për të na treguar këto thesare të vyera dhe për të na afruar gjithnjë e më shumë me vepën e Ismailit.”, – vëren Pashako.
Ekspozita çelet pikërisht në muajin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, të parin pa të, pasi shkrimtari u nda nga jeta në korrikun e vitit që sapo mbyllëm.