Emmanuel Macron sulmoi të hënën Elon Musk, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën evropiane dhe për mbështetje të asaj që presidenti francez e quajti “një lëvizje ndërkombëtare reaksionare,” shkruan POLITICO.
Edhe pse Macron nuk e përmendi drejtpërdrejt miliarderin e diskutueshëm të teknologjisë në fjalimin e tij vjetor drejtuar ambasadorëve francezë të mbledhur në Paris, përshkrimi ishte i qartë.
“Dhjetë vite më parë, kush do ta kishte imagjinuar se, nëse do të na thuhej, pronari i një prej rrjeteve më të mëdha sociale në botë do të mbështeste një lëvizje të re ndërkombëtare reaksionare dhe do të ndërhynte drejtpërdrejt në zgjedhje, përfshirë ato në Gjermani,” tha Macron në një fjalim të gjerë mbi politikën e jashtme në Pallatin Élysée.
“Ata që përhapin gënjeshtra dhe dezinformata nuk janë të interesuar për viktimat. Janë të interesuar për veten e tyre,” tha gjithashtu kryeministri britanik duke iu referuar miliarderit.
Komentet e Macron dhe kryeministrit britanik, megjithatë, nuk ishin aq të ashpra sa ato të kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, i cili deklaroi të hënën se e sheh “shqetësuese” që Musk, “një person me qasje të jashtëzakonshme në rrjetet sociale,” të jetë kaq “drejtpërdrejt i përfshirë” në politikën e kombeve të tjera.
Musk po përballet me reagime të mëdha politike në Evropë, pasi komentoi politikën e brendshme në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka mbështetur AfD-në, partinë e ekstremit të djathtë në Gjermani, para zgjedhjeve legjislative të parakohshme, një veprim për të cilin qeveria gjermane dhe liderë të ndryshëm politikë kanë deklaruar se përbën ndërhyrje zgjedhore.
Musk gjithashtu komentoi për kryeministrin britanik Keir Starmer dhe, në një lëvizje të papritur, i bëri thirrje Nigel Farage-it të largohet si lider i partisë së djathtë Reform në Mbretërinë e Bashkuar.
Musk ende nuk ka shfaqur ndikimin e tij në politikën franceze dhe nuk është e qartë nëse do të ofrojë të njëjtin lloj mbështetjeje për ekstremet e djathta franceze si për lëvizjet e ngjashme në Evropë – veçanërisht duke pasur parasysh se pikëpamjet e tij më liberale ekonomike duket se janë në kundërshtim me ato të partisë së Marine Le Pen.
Musk dhe Macron kanë pasur marrëdhënie miqësore në të kaluarën. Shefi i Tesla-s, SpaceX dhe X iu bashkua presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në rihapjen muaj më parë të Katedrales Notre Dame. Javën e kaluar, Musk dhuroi 100 terminale Starlink për territorin francez të shkatërruar në Mayotte. Macron e ftoi Musk dhe Trump përsëri në Paris muajin e ardhshëm për një samit shumë të pritur mbi inteligjencën artificiale.
Presidenti i zgjedhur dhe homologu i tij francez kanë gëzuar një marrëdhënie të mirë gjatë mandatit të parë të Trump-it, që Macron është përpjekur ta rigjallërojë. Macron ishte një nga liderët e parë perëndimorë që përgëzoi presidentin e zgjedhur të SHBA-së për fitoren e tij zgjedhore në nëntor. Gjatë fjalimit të tij në Élysée, Macron tha se do të punonte lehtësisht me administratën e ardhshme amerikane, pavarësisht frikës për një luftë tregtare të afërt dhe për të ardhmen e luftës në Ukrainë.
“Arritëm të punojmë me Trump, e dimë cilat janë mosmarrëveshjet, si ato mbi ndryshimet klimatike,” tha ai, duke përmendur se Trump e di që Franca është “një aleat i fortë.” Por ai shtoi gjithashtu se, nëse Evropa është “e dobët dhe defetiste,” ekzistojnë “pak mundësi për të fituar respekt.”