Këtë të martë u zhvillua darka tradicionale me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili mbajti një fjalim. Ai u shpreh para ambasadorëve të huaj se Shqipëria nuk ka asnjë plan tjetër veçse integrimit në Bashkimin Europian.
“Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë uroi që viti tjetër të shënojë hapjen e të tjerë grupkapitujve për t’iu përmbajtur objektivit të vendosur bashkë me KE për mbylljen e bisedimeve në fund të vitit 2027.
Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara hedh poshtë pretendimin e Thaçit për shkelje të të drejtave themelore
“E di shumë mirë që askush nuk do të na e bëjë të lehtë. Çdo centimetër që bëjmë përpara do të kërkojë përpjekje edhe më të mëdha, por dua që ta dini të gjithë se kjo është pikërisht ajo që duam, pa asnjë iluzion e asnjë pishman. Na takon neve ta marrim vendin e Shqipërisë në Europë, jo juve të na e dhuroni. Është detyra jonë dhe vetëm e jona të ndezim yllin e verdhë të Shqipërisë në qiellin blu të Bashkimit Europian”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te rajoni i Ballkanit.
“Fati i këtij rajoni në këto kohë është në duart tona, si kurrë më parë. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se mundësit e sotme nuk janë të mirëqena dhe duhet të punojmë të gjithë së bashku që ato të mos zhduken, por të marrim maksimumin prej tyre. Po, sigurisht, nuk biem dakord për çdo gjë dhe kjo është normale. Madje, e kundërta e kësaj mund të ishte shqetësuese për një rajon, ku jo shumë kohë më parë as nuk uleshim bashkë jo që prej vitesh, po do guxoja të thoja prej dekadash. Ky është momenti ynë dhe është përgjegjësia jonë për të mos ta shkatërruar, por për të ndërtuar mbi të duke shfrytëzuar çdo hapësirë dhe çdo mundësi për ta shtrirë tregun tonë më larg dhe për t’i sjellë qytetarët tanë më afër. Shqipëria do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për integrimin duke nxitur paqen dhe duke bashkëpunuar përmes dialogut me këdo”, u shpreh Rama.