Sonda hapësinore Parker, e zhvilluar nga NASA, po përgatitet t’i afrohet Diellit, duke kaluar të martën, në prag të Krishtlindjes, më afër yllit se kurrë më parë, për të studiuar atmosferën e tij, raporton AFP.
E nisur në gusht 2018 për një mision shtatëvjeçar, misioni i sondës Parker është të thellojë njohuritë shkencore rreth yllit tonë, veçanërisht për të zbuluar misterin e stuhive diellore, të cilat mund të ndikojnë në komunikimet tokësore.
Të martën, më 24 dhjetor, në orën 11:53 GMT, sonda amerikane do të jetë 6.2 milionë kilometra nga sipërfaqja e yllit, një afrim rekord.
“Ky është një shembull i misioneve të guximshme të NASA-s, duke bërë diçka që askush nuk e ka bërë më parë për t’iu përgjigjur pyetjeve të vjetra në lidhje me Universin tonë,” tha në një deklaratë shkencëtari i sondës diellore Parker, Arik Posner.
“Ne mezi presim të marrim përditësimin e parë nga anija kozmike dhe të fillojmë marrjen e të dhënave shkencore në javët e ardhshme”, shtoi ai.
Ekipi i misionit do të humbasë kontaktin e drejtpërdrejtë me sondë gjatë kësaj afrimi rekord – i njohur si perihelion – por do të marrë një sinjal nga anija kozmike më vonë të premten.
Gjatë afrimit të saj me Diellin, sonda Parker do të udhëtojë me një shpejtësi marramendëse prej rreth 690,000 km/h – e mjaftueshme për të përshkuar distancën midis Uashingtonit dhe Tokios në më pak se një minutë.
Mburoja e nxehtësisë së sondës do t’i rezistojë temperaturave ekstreme prej rreth 870 deri në 930 gradë Celsius, por instrumentet e saj të brendshme do të mbeten afër temperaturës së ambientit – rreth 29 gradë Celsius – ndërsa eksploron shtresën e jashtme të atmosferës diellore, e njohur si korona diellore.
Një nga objektivat e misionit të sondës Parker, i cili futet në kushte kaq ekstreme, është të kuptojë pse kjo zonë është, çuditërisht, 200 herë më e nxehtë se sipërfaqja e Diellit. Rezultatet e para bazuar në të dhënat e tij zbuluan në vitin 2019 veçanërisht sa kaotike është atmosfera e Diellit.
Afrimi i Diellit në prag të Krishtlindjeve do të jetë i pari nga tre fluturimet rekord të planifikuara, me dy të tjerat – më 22 mars 2025 dhe 19 qershor 2025 – duke e sjellë sontën Parker në një distancë të ngjashme nga Dielli.