Superliga e basketbollit të meshkujve ka mbyllur fazën e dytë të kampionatit, teksa dje është kompletuar java e dhjetë.basket
Besëlidhja vazhdon dominimin absolut, teksa ka shënuar fitoren e dhjetë, këtë herë duke likuiduar Tiranën, për të ruajtur pathyeshmërinë. Me triumf e kanë mbyllur vitin edhe Teuta e Vllaznia, të cila fituan në shtëpi përkatësisht ndaj Kamzës dhe Apolonisë. Takimi Teuta-Kamza, i luajtur mbrëmjen e së shtunës në “Ramazan Njala”, çeli siparin e javës së dhjetë, një ndeshje e dominuar nga vendësit, të cilët nuk e diskutuan për asnjë moment fitoren. Kështu durrsakët triumfuan thellë 87- 71 (21-19, 29-22, 22-8, 15-22).
Shkëputjen vendimtare bregdetarët e realizuan në periodën e tretë, duke shkuar në +23 pikë pas 30 minutash lojë. Bryan Powell me 30 pikë dhe kapiteni Kristi Gorea me 23 udhëhoqën Teutën, me durrsakët që e mbyllin pjesën e parë si forcë e dytë e kampionatit. Duke kaluar në sfidat e djeshme, Besëlidhja demonstroi një tjetër provë bindëse, teksa shkatërroi Tiranën me rezultatin 91-59 (26-22, 25-7, 20-18, 20-12) në “Asllan Rusi”.
Me një organikë të gjerë, të përbërë me lojtarë kualitativë vendorë dhe të huaj, lezhjanët dominuan në çdo aspekt ndaj një Tirane që prej javësh duket në vështirësi të mëdha. Skuadra e Afrim Bilalit nuk njeh rivalë, për ta çuar në 37 numrin e fitoreve radhazi që prej kampionatit të kaluar. Ndërkohë në kampin bardheblu, skuadra e Erkand Karajit vijon pikatën, teksa shënoi humbjen e gjashtë radhazi. Pesë lojtarë të Besëlidhjes prekën kuotë dyshifrore pikësh, ku shënuesi më i mirë ishte Joshua Angle (15).
Për Tiranën nuk mjaftoi Endrit Hysenagolli, autor i 21 pikëve. Fitore me drithërima për Vllazninë, për herë të dytë radhazi me kohë shtesë. Pas triumfit ndaj Kamzës një javë më parë, shkodranët mposhtën dje Apoloninë në shifrat 97-86 (23-16, 24-24, 19-14, 16- 26, 15-4). Pasi e kishin kontrolluar lojën për 3 perioda, kuqeblutë lëshuan shumë në çerekun e fundit, me kohën e rregullt që u mbyll 82-82. Por në 5 minutat shtesë ekipi i drejtuar nga Eni Llazani u shfaq dominues, duke vijuar serinë e rezultateve pozitive, për të arritur suksesin e tretë në katër javë nën drejtimin e trajnerit të ri. MVP u shpall Maurice Walton, autor i 25 pikëve, 16 kërcimeve dhe 6 asistimeve për Vllazninë.