Atalanta “thyen” 3-2 Empolin, qëndron e vetme në krye të Serie A, në kuotën e 40 pikëve, plus 2 në raport me Napolin. Bergamaskët konfirmohen edhe një herë se janë një nga favoritët kryesor për t’i shkuar deri në fund këtij sezoni. Kjo ishte një sfidë e veçantë edhe për tifozët kuqezi, pasi përballë ishin dy qendërmbrojtësit e kombëtares, Gjimshiti kundër Ismajalit, një sfidë brenda sfidës.
Empoli trembi vendasit pasi Colombo kaloi toskanët në avantazh që në minutën e 13-të, ku i vetëm brenda në zonë e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë. Atalanata reagoi dhe në minutën e 34-ët, De Ketelaere me kokë barazoi shifrat në 1-1. Në minutën e 42-të, Berat Gjimshiti flirtoi me golin teksa goditja e tij me kokë u përplas në shtyllën pingule. Në shtesën e pjesës së parë, i përhershmi Lookman, “Topi i Artë Afrikan”, u tregua i saktë duke kaluar Atalantën në avantazh.