Për të dytën herë brenda pak muajsh ambasadori amerikan (tash në largim), Jeffrey Hovenier, i dha premisat për konkluzionet që duhet “t’i nxirrni ju vetë” në termat e ngecjes së vendit kundrejt aderimit në botën perëndimore: prej mosanëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, të qenit në vendnumëro në proceset integruese euro-atlantike si BE e NATO, e deri te raportet e rënduara Prishtinë-Uashington.
Në intervistën lamtumirëse në ‘Rubikon’ u pyet për fjalinë e tij të vrazhdë që “nuk duhet psh**rur para derës së klubit ku doni të hyni” e cila qe formuluar në kuptimet më eksplicite si mesazh ndaj qeverisë në kursin e saj të paepur e deri konfrontues me QUINT-it dhe forcën paqe mbajtëse të NATO-s në vend, KFOR-in për çështjen e Urës së Ibrit.
Adriatik Kelmendi: Çka ju bëri të thonit diçka të tillë?
Jeffrey Hovenier: (..) shumë e drejtpërdrejtë, që nëse doni të jeni pjesëmarrës të një bashkësie si BE-ja e NATO, juve ju duhet të jeni të pëlqyeshëm për ta, të bëni krejt çka është e mundshme që jeni të përgjegjshëm ndaj shqetësimeve (…)
Këtu iu kthye konkluzioneve të miratuara në Këshillin e Bashkimit Evropian – të shndërruara në ligje për bllokun njëzet e shtatë shtetësh – të cilat i quajti “shumë të fuqishme”.
ShBA-ja, tha ai, “ndjehet absolutisht njësoj” me ato konkluza.
Por, në insistimin e gazetarit që e vërteta e (mos)raporteve bashkëpunuese të mos shpërbëhet në zhargon të për zbutur diplomatik, Hovenier u detyrua të prejë që “(…në atë rast) Kosova do të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës”.
“Mendoj se do të kishit një trajektore të kthjellët drejt anëtarësimit në BE, që është një rrugë e rëndë dhe e gjatë, dhe mendoj se do të ishim në pozicion që të shtynim para më fort për afrimin e Kosovës në marrëdhëniet e saj me NATO-n. Këto dy gjëra janë çka mund t’ua vendos në tavolinë”.
“Dhe, mendoj që Kosova veçse do të ishte anëtare në Këshill të Evropës”, vazhdoi Hovenier.
Të njëjtën përgjigje e pati thënë në Rubikon, para pesë muajsh, kur çështja më e nxehtë ishin raportet e rënduara Kosovë-ShBA, kur Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien veçse pati premtuar “reciprokim mospartneriteti”.
Pyetja përmbante gjendjet faktike, prej përjashtimit nga Defender 2023, mungesën e vizitave të nivelit të lartë bilateral në Uashington, e deri te “kërcënimi jo i vagët” i O’Brien.
“Jemi duke shpresuar për partneritet shumë të afërm dhe është e qartë se kur partneritetet e afërta bëhen edhe më të afërta atëherë do të ketë edhe më shumë kontakt person më person. Kaq mund të them”.
Kelmendi: Pra, më mirë se ç’e kemi tash…
Hovenier: Po ju lë juve të nxirrni vetë konkluzionet.
Hovenier aty i ishte kthyer asaj çfarë ishte bërë lajtmotiv amerikan karshi qeverisë kosovare – miratimin e draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, tekst ky ndaj të cilit qeveria ishte shprehur refuzues pasi e kishte pranuar dhe i cili tekst është bërë qëndrim zyrtar/ligjor i BE-së në konkluzionet e saj.
“Por nëse del që është jo në pajtim me Kushtetutën, ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thoshte Hovenier, raporton nacionale.
“Ky dokument ka një status tejet të rëndësishëm…dhe Kosovës i thamë që kjo është mjaftueshëm e mirë që Kosova t’i përmbush obligimet e saj me këtë draft. Kjo është tmerrësisht e rëndësishme, e jo veç disa ide prej ndonjë think-tenku”, shprehej ai.