Komunikimet e fundit të përgjuara nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, tregojnë për viktima të konsiderueshme të pësuar nga ushtarët e Koresë së Veriut të dislokuar në rajonin e Kurskut.
SBU postoi pjesë nga thirrjet. Në një telefonatë mes një ushtari rus dhe gruas së tij, një infermiere në një spital në rajonin e Moskës thotë: “Dje ishte një tren që solli njëqind njerëz. Sot ishin 120 të tjerë. Dhe sa të tjerë janë? Zoti e di”.
Në një telefonatë tjetër, ajo thotë se ushtarët e Koresë së Veriut po u ofrohen reparteve të tëra në spitalet ruse, ndërsa trupat ruse të plagosur po trajtohen në kushte më të këqija.
“A janë elitë, apo çfarë, këta koreanë? Ne po lirojmë disa reparte për ta”, tha ajo, transmeton Telegrafi.
Inteligjenca ukrainase tashmë ka nisur një çështje penale për pjesëmarrjen e trupave të Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës.
Hetimet paraprake po kryhen në bazë të nenit 437 të Kodit Penal të Ukrainës, krimi i agresionit.
Qendra kundër dezinformimit deklaroi se Rusia tashmë po punëson në mënyrë aktive trupat e Koresë së Veriut në front, ndërsa përpiqet ta fshehë këtë sa më shumë që të jetë e mundur.
Ushtria e Koresë së Veriut po operon në zonat afër qytetit të Sudzha në rajonin e Kurskut. Rusët po i hedhin në betejë si këmbësoria pa mbështetje të mjeteve të blinduara, gjë që çon në viktima të rënda.
Luftëtarët e Koresë së Veriut dolën të papërgatitur për t’u përballur me dronët, thonë raportet.