Dëmtimet e kanë “masakruar” Vllazninë në muajt e fundit, duke e kthyer në një problem madhor vazhdimësinë e sezonit. Kuqeblutë kanë vuajtur mungesën e vazhdueshme të titullarëve, duke mos e pasur asnjëherë organikën e plotë gjatë këtij kampionati.
Edhe në ndeshjen kundër Laçit mungesat ishin të shumta. Të gjithë mbrojtësit titullarë të ekipit ishin në tribunë për shkak lëndimesh: Gurishta, Juriç, Stojanoviç dhe Jago. Dhimbja e kokës për Brdariç u shtua edhe më tepër kur Deliu dhe Spahija lanë po ashtu fushën që në pjesën e parë për shkak dëmtimi kundër Laçit. Kjo bëri që gjermani të “shpikte” për sa i përket lojtarëve që do të luanin në mbrojtje.
Mala e kishte nisur ndeshjen si mbrojtës i djathtë, një rol që e ka bërë edhe herë të tjera, pavarësisht se nuk është aspak pozicioni natyral për prizrenasin. Mirëpo, duhej gjetur edhe lojtari që do luante si mbrojtës i majtë pas daljes nga fusha të Spahijas.
Trajneri vendosi që atë pozicion ta mbulonte Çoba. 24-vjeçari, pavarësisht se është një sulmues tipik krahu, arriti të përshtatej mirë gjatë ndeshjes si mbrojtës i majtë, duke ndihmuar dhe sakrifikuar në maksimum për skuadrën.
Pra, konkretisht Vllaznia ka luajtur me 6 lojtarë me tipare sulmuese në shumicën e kohës kundër Laçit. Me Malen e Çobën nga krahët e mbrojtjes, me Kahrimanoviç në mesfushë, i cili po ashtu zhvilloi një ndeshje pozitive, si dhe me treshen DelajDoda-Balaj në repartin e avancuar. Një “shpikje” e Brdariç që rezultoi e suksesshme, por patjetër gjermani kërkon që në vitin 2025 të ketë grupin e plotë.