Gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dashur të parqitej për intervistim në Prokurorinë Speciale, mirëpo ai nuk është paraqitur me arsyetimin se ndodhet jashtë vendit.
Lidhur me mosparaqitjen e tij, për Klan Kosova ka folur zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Prokuroria Speciale ka qenë e njoftuar.
Kryeziu thotë se kryeministri ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka thënë Kryeziu.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, para mediave ka thënë se tashmë janë informuar nga kabineti i kryeministrit Albin Kurti që ai nuk mund të paraqitet sot në prokurori pasi që ai gjendet në një udhëtim jashtë vendit.
“Siç jeni në dijeni Prokuroria Speciale e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim për një rast penal. Sot nga kabineti i kryeministrit prokuroria është informuar se kryeministri Kurti, gjendet në një udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Prokuroria konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër”, ka thënë Kozmaqi.
Ndryshe Prokuroria Speciale nuk ka treguar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë kryeministri dhe as Kurti nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjet ftesës