Shqipëria ka shmangur përjashtimin e segmentit Shkup -Durrës nga harta europiane e komunikacionit qendror. Dy vjet më parë autoritetet shqiptare konstatuan shtrembërimin e korridorit VIII europian që e hiqte Durrësin nga segmenti qendror dhe arritën të evitojnë shtrembërimin gjeografik e të fondeve përkatëse europiane të këtij projekti.
Korridori VIII i është rikthyer linjës së hershme Europë- Lindje të njohur si “Rruga Egnatia” pas një përpjekje për të devijuar hartën e komunikacionit qendror europian pa kaluar nga Shqipëria.
Eksperti i fondeve europiane Adrian Haçkaj bëri të ditur reagimin europian pas konstatimit dhe kërkesës së qeverisë shqiptare pranë autoriteteve europiane.
Ai tha se Shqipëria argumentoi kërkesën e saj pranë institucioneve europiane si përmes të qenurit pozicion strategjik, por edhe si vend anëtar i NATO-s.
Rikthimi i gjurmës qendrore të korridorit VIII me kalim nga Durrësi, edhe pse i pavënë re nga publiku i gjerë, ekonomikisht do të thotë ricaktim fondesh sipas termash qendrorë dhe jo të ndërvarur si zgjatim i sforcuar gjeografik.