Sot janë bërë dy vjet prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Që nga ajo kohë , 15 dhjetori i vitit 2022, Presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. Çekia e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Me rregullore, detyrën për ta futur në shqyrtim aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE, e ka presidenca e Këshillit të BE-së, e cila çdo gjashtë muaj ndërrohet mes vendeve anëtare.
Këshilli, përkatësisht përfaqësuesit e 28 shteteve anëtare vendosin se kur aplikacioni i dërgohet Komisionit Evropian, i cili ftohet të përgatisë një opinion për meritat e vendit aplikues.
Përmes një pyetësori, pastaj, Komisioni vlerëson gatishmërinë e vendit aplikues për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, përkatësisht për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Në proces të zgjerimit janë aktualisht dhjetë shtete – gjashtë të Ballkanit Perëndimor, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia. Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.
Kosova, aktualisht, është i vetmi vend evropian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Mbetet e vetmja nga dhjetë shtete të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së pa statusin formal të kandidates.