Inspektorati Policor inspektoi përdorimin e kamerave të trupit në Policinë e Kosovës duke dhënë tetë rekomandime IPK publikoi Raportin e inspektimit. “Përdorimi i kamerave të trupit dhe administrimi i provave digjitale”
IPK ka publikuar sot raportin e plotë të inspektimit të jashtëzakonshëm mbi “Përdorimin e kamerave të trupit dhe administrimin e provave digjitale.
Inspektimi është realizuar nga Departamenti i Inspektimit me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së për të vlerësuar nivelin e përdorimit të kamerave të trupit nga përdoruesit e autorizuar të Policisë së Kosovës dhe administrimin e audio – video materialeve të regjistruara.
Objektivat e këtij inspektimi kanë përfshirë përveç tjerash vlerësimin e respektimit të legjislacionit për përdorimin e sistemit të kamerave të trupit, vlerësimin e administrimit të pronës së pranuar si donacion, vlerësimin e efektivitetit në funksionimin e kamerave të trupit, vlerësimin e efektit të sistemit në ngritjen e sigurisë/transparencës/llogaridhënies dhe performancës, si dhe vlerësimin e masave të sigurisë lidhur me administrimin e provave digjitale.
IPK në kuadër të raportit i ka dhënë Policisë së Kosovës tetë (rekomandime që kanë të bëjnë me nevojën e angazhimit të komisioneve për realizimin e inventarizimeve periodike tre (3) mujore sipas Marrëveshjes së Donacionit, organizimin e trajnimeve në përdorimin e kamerave dhe administrimin e provave për zyrtarët policor të pa trajnuar, organizimin e inspektimeve të kohëpaskohshme mbi funksionimin e sistemit dhe përdorimin e kamerave të trupit.
Inspektimi ka vënë në pah dhe ka adresuar përmes rekomandimit edhe përdorimin urgjent të kamerave të trupit nga strukturat e Departamentit të Kufirit, zgjerimin e sistemit të kamerave të trupit edhe në njësi tjera policore, klasifikimin e materialeve të regjistruara për qëllime të ruajtjes dhe administrimit të duhur të tyre.
Krahas kësaj raporti i inspektimit adreson edhe çështjen e njoftimit të palëve kur ata i ekspozohen monitorimit të ushtruar, si dhe shtimin e përpjekjeve nga administratorët e sistemit të kamerave për procedimin me kohë të kërkesave që vijnë nga njësitë policore të ngarkuara me përdorimin e sistemit në fjalë. Kamerat e trupit të cilat tanimë i ka në dispozicion Policia e Kosovës janë donacion nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmes Byrosë për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit.
Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim): https://ipk.rks-gov.net/…/Raporti%20i%20inspektimit…