Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve, Ivan Stoillkoviq, pas inspektimit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, ka rikthyer shqipen në ueb-faqen e Ministrisë. Kështu tregon njoftimi i Inspektoratit, pasi Alsat dorëzoi iniciativë kundër Stoillkoviqit i cili, për ironi është i obliguar pikërisht për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Një javë pas denoncimit, Inspektorati ka dërguar inspektorët në Ministrinë e Stoillkoviqit, të cilët kanë konstatuar atë që e paraqiti Alsat, në ueb-faqe përmbajtjet publikohen vetëm në maqedonisht, ndërkaq versioni në shqip, ka figuruar vetëm me mbishkrimin se është në përgatitje e sipër. Kjo, siç thonë nga Inspektorati është në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 4 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Inspektorëve, Ministria u ka thënë se për pesë ditë do ta rregullojnë edhe versionin e faqes në shqip.
Inspektorati, megjithatë ka përpiluar procesverbal, të cilin ia ka dorëzuar Ministrisë për deklarim dhe nënshkrim. Pas pranimit të procesverbalit, Ministria e Stoillkoviqit më 28 nëntor ka dorëzuar shkresë me dëshmi në shtojcë dhe njoftim se është vepruar ndaj shkeljes, respektivisht ka lëshuar në përdorim ueb-faqen në shqip.
Paraprakisht, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve i ka shqiptuar vërejtje ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev, pas denoncimit të një televizioni, se ministria nuk e respekton Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, përkatësisht komunikon me mediat vetëm në maqedonisht dhe nuk ka ueb-faqe në shqip. Inspektorati, ministrit Minçev i ka dhënë afat për t’i mënjanuar parregullsitë.
Që nga miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në vitin 2019, nuk është gjobitur asnjë institucion dhe funksionar për mosrespektim të gjuhës shqipe, pavarësisht se ky ligj ka niveli të lartë të moszbatimit, gjegjësisht shkeljes nga ana e zyrtarëve dhe institucioneve shtetërore. Kjo, dëshmohet pikërisht me raportet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Prej qershorit të vitit 2021 deri në qershorin e vitit 2024, inspektorët e këtij inspektorati kanë kryer gjithsej 357 inspektime. Prej tyre, madje në 246 inspektime apo në 70% është konstatuar parregullsi, respektivisht mosrespektim të gjuhës shqipe nga ana e institucioneve.Por, Gjykata Administrative nuk ka shqiptuar asnjë gjobë të vetme.