Një pjesë e konsiderueshme e aseteve kritike për vendin ndodhen në veriun problematik, përfshirë Ujmanin, hidrocentralin në këtë liqen dhe kanalin e Ibër – Lepencit, që sjell ujin nga këtu në pjesën tjetër të vendit.
Gjithashtu, andejpari ka edhe infrastrukturë tjetër të rëndësishme, sikur janë rrugët dhe urat. Ato, pas Varagës, po ruhen pa ndërprerë.
Kujdes 24 orësh po shfaqet edhe pika tjera të ndjeshme.
Akti terrorit ndaj kanalit të Ibër-lepencit ishte sulmi i tretë terrorist në veri të Kosovës, vetëm në nëntor.
Pak ditë më parë u sulmuan me granata dore ndërtesa e komunës dhe stacioni i policisë në Zveçan. Në këtë pjesë të Kosovës, nga grupet kriminale, janë atakuar edhe sektorë tjerë të infrastrukturës kritike.
Në disa raste u prenë kabllot të rrjetit telefonik që po shtrihej për t’u dërguar në institucionet e reja shtetërore në ndërtim.
Vëmendje po kërkohet edhe për raste tjera. Të ditën e dhjetë të dhjetorit, ministri i brendshëm paralajmëroi për sulme të reja të grupeve kriminale. Një i tillë, siç u tha, tashti, mund të ndodh jo në veri, por në jug të Kosovës.
Fakti se u përmend gjeografia për një tjetër atak, është sinjal që shteti mund ta parandalojë atë. Se çfarë do të ndodh, mbetet të shihet.
Ra sulmi në kanalin “Ibër Lepenc” e u kuptua që shteti duhet të mendojë më shumë për infrastrukturën e vetë jetike, gjithandej vendit, ani se mënyra qysh bëhet kjo u saktësua me ligjin përkatës, i cili u miratua më 2018.
Sipas njohësve të këtyre fushave, të paktën në dy nga këta sektorë, ujë dhe energjia elektrike, ka një situatë të brishtë, madje lehtë të cenueshme, nga shumë faktorë.
Dhjetë vjet më parë, më 2014, ishte diskutuar ideja që të ndërtohej edhe një liqe tjetër artificial që do të ndihmonte, në raste emergjente, si ky i Varagës, për ftohjen e termocentraleve në Kosovën B, që prodhojnë rrymë për më shumë se 60 për qind nga konsumi i përgjithshëm në vend.
Ky projekt nuk u jetësua dhe kjo, sipas ekspertëve, është gabim i madh pasi konsiderohet se investimet në burime shtesë të ujit janë të domosdoshme.
Duke qenë se nuk u bënë asetet e reja kritike, apelohet që ato ekzistueset të ruhen me çdo kusht