Milaim Kelmendi është kandidat për kryetar të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Kelmendi është për kohë të gjatë kryetar i Federatës së Skijimit të Kosovës, ndërsa të mërkurën ka konfirmuar për KOHËN që do të kandidojë për kryetar të organizatës kryesore sportive në vend. Kelmendi aktualisht është nënpresident i KOK-ut, ndërsa ka vendosur të kandidojë për postin e presidentit.
Asambleja Zgjedhore e KOK-ut pritet të mbahet në shkurt të vitit të ardhshëm. Kryetari aktual, Ismet Krasniqi, pritet të kandidojë sërish, por gara me Kelmendin parashikohet të jetë shumë e fortë.
Në fakt, Kelmendi ka thënë se ka përkrahje shumë të madhe nga komuniteti sportiv, përkatësisht nga drejtues të federatave dhe asambleistë të KOK-ut.
“Po, është zyrtare. Jam kandidat për president të Komitetit Olimpik të Kosovës. E kam përkrahjen e madhe të komunitetit sportiv, prandaj edhe kam vendosur të kandidoj. Në fakt janë njerëzit e sportit që kanë kërkuar nga unë që të kandidoj për president dhe pas kërkesës që më është bërë dhe pas konsultimeve, kam vendosur të kandidoj. Përkrahjen e kam shumë të madhe. Jam i sigurt se në Asamble Zgjedhore do të shkoj me të paktën 85 vota”, ka thënë Kelmendi për KOHËN të mërkurën mbrëma.
Ai në vitet e fundit ishte prej njerëzve të afërt të presidentit aktual, Ismet Krasniqi, dhe sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut, Besim Aliti. Por tani kërkon të jetë kryesori në Komitet Olimpik.
“Kam pasur sot takim me drejtuesit e Komitetit Olimpik. I kam njoftuar që do të kandidoj. Ne kemi funksionuar si një ekip, por tani kam vendosur të kandidoj për kryetar”, ka shtuar Kelmendi.
Ai, javë më parë siguroi tjetër mandat për ta udhëhequr Federatën Skitare të Kosovës. Në krye të kësaj federate është nga viti 2016. Për një dekadë ishte nënkryetar i federatës së skijimit. Pozita e kryetarit të KOK-ut vlerësohet me shumë ndikim në sportin kosovar. Rrjedhimisht është goxha e lakmuar.
KOK-un nga viti 1996 e deri në vitin 2021 e ka udhëhequr Besim Hasani. Hasani humbi garën me Krasniqin në asamblenë e kaluar zgjedhore.
Vendimi i Kelmendit erdhi pak ditë pasi presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach qëndroi për vizitë në Kosovë. Ai vizitoi Kosovën për të shënuar dhjetëvjetorin e pranimit të Kosovës në IOC. Gjatë ceremonive të shumta është parë një lloj distancimi, deri tani i pazakontë, i Krasniqit e Alitit me tashmë kandidatin për kryetar të KOK-ut, Kelmendin.