Federata e Futbollit e Serbisë të mërkurën mori goditje të rëndë nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA).
Trupi i UEFA-s për Kontroll, Etikë dhe Disiplinë, ka dënuar federatën serbe për shkeljet e shumta që bënë serbët në ndeshjen Zvicër–Serbi, të zhvilluar më 15 nëntor. Ndeshja i takoi Ligës së Kombeve, ndërsa Federata e Futbollit e Serbisë është përballur me shumë akuza. Ndër të tjera kishte fyerje ndaj Kosovës e shqiptarëve nga huliganët serbë në atë ndeshje në Zurich.
Federata serbe u dënua me 8250 euro për ndezje të fishekzjarrëve nga tifozët serbë. 25 mijë euro të tjera serbët duhet t’i paguajnë për transmetim të mesazheve që nuk janë të përshtatshme për ngjarje sportive. 31 mijë e 500 euro është dënimi ndaj Federatës serbe për hedhje të gjësendeve në fushë të lojës nga tifozët serbë.
Për sjellje raciste dhe diskriminuese të tifozëve serbë, federata serbe është gjobitur me plot 50 mijë euro. Federatës së Serbisë po ashtu i është ndaluar shitja e biletave për tifozët e saj për dy ndeshjet e ardhshme në garat e UEFA-s si mysafire. Ky dënim mund t’i jetë dhënë për thirrjet anti-Kosovë e antishqiptare.
Për dëmtime në stadium, Federata serbe është gjobitur me 5000 euro. Federatës serbe po ashtu i janë bërë tri paralajmërime për shkelje më të vogla.
Pra për shkeljet në Zvicër, Federata serbe duhet të paguajë plot 119 mijë e 750 euro.
Federata e Futbollit e Serbisë dënohet thuajse rregullisht nga UEFA. Shpesh edhe për thirrjet anti-Kosovë dhe për banerët me përmbajtje anti-Kosovë.
UEFA të mërkurën njoftoi se ka dënuar Federatën serbe edhe për shkelje në ndeshjen Serbi–Danimarkë, të zhvilluar më 18 nëntor, po ashtu në Ligën e Kombeve.
Me 10 mijë euro, Federata serbe u dënua për hyrje të tifozëve në fushën e lojës. 3250 euro serbët do të paguajnë për fishekzjarrë.
Serbisë i është aktivizuar dënimi me kusht për mbylljen e një pjese të stadiumit, prej 4000 vendeve, në ndeshjen e ardhshme si vendëse.
Federata serbe është gjobitur edhe me 40 mijë euro të tjera dhe mbylljen e një pjese të stadiumit, prej 8000 vendeve, për një ndeshje shtesë në garat e UEFA-s. Dënimet e fundit u dhanë për sjellje diskriminuese të tifozëve serbë.
Dënim të rëndë mori edhe klubi serb Cërvena Zvezda. Klubi beogradas duhet të paguajë plot 89 mijë euro për shkeljet e bëra në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Stuttgartit. Ndër të tjera, Cërvena Zvezda u dënua për publikim të mesazheve të papërshtatshme.