Arktiku, një nga rajonet më të prekura nga ndryshimet klimatike, aktualisht emeton më shumë dioksid karboni (CO2) sesa magazinon, kryesisht për shkak të rritjes së numrit të zjarreve, thuhet në një raport të rëndësishëm amerikan të publikuar të martën. Në Evropë, temperatura e përmafrostit malor është rritur me 1 gradë Celsius në dhjetë vitet e fundit.
“Tundra arktike, e cila po përballet me ngrohjen dhe shtimin e zjarreve pyjore, emeton aktualisht më shumë karbon sesa sasia që magazinon,” shpjegoi Rick Spinrad, kreu i Administratës Kombëtare të Oqeaneve dhe Atmosferës (NOAA), e cila publikoi këtë raport.
Kjo situatë “do të përkeqësojë efektet e ndryshimeve klimatike,” paralajmëroi ai, duke shtuar se është **”një tjetër shenjë e parashikuar nga shkencëtarët për pasojat e reduktimit të pamjaftueshëm të ndotjes nga karburantet fosile.”
“Ajo që po ndodh në Arktik nuk kufizohet vetëm në Arktik,” theksoi për AFP Anna Virkkala, studiuese në Qendrën për Kërkime Klimatike Woodwell dhe bashkëautore e raportit. Ky rajon, që përfshin Polit e Veriut, “luan një rol të rëndësishëm në sistemin klimatik global për shkak të rezervuarëve të mëdhenj të karbonit” që ndodhen në tokat e tij, shtoi ajo.
Arktiku përbëhet nga tundra, një mjedis ekologjik i përbërë nga shkurre, dhe përmafrost, i quajtur gjithashtu pergjelizol, një tokë e ngrirë që përmban dyfishin e sasisë së CO2 që ndodhet në atmosferë dhe trefishin e sasisë së emetuar nga aktivitetet njerëzore që nga viti 1850.
Në dekadat e fundit, nën efektin e ndryshimeve klimatike, zjarret në tundër janë shtuar vazhdimisht, duke arritur një rekord në vitin 2023, theksoi NOAA.
Si rezultat i djegies së vegjetacionit, këto zjarre lëshojnë dioksid karboni në atmosferë. Por ato gjithashtu dëmtojnë shtresat izoluese të tokës, duke përshpejtuar shkrirjen afatgjatë të përmafrostit, gjë që çon në emetimin e dioksidit të karbonit dhe metanit, dy nga gazrat kryesore që mbajnë nxehtësinë në atmosferë.
Fenomeni i amplifikimit
Sezoni rekord i zjarreve i njohur në Kanada në vitin 2023 çoi në çlirimin e “afërsisht 400 milionë tonëve dioksid karboni,” theksoi Brendan Rogers, bashkautor i raportit, ekuivalent me “më shumë sesa emetimet vjetore të të gjitha vendeve të tjera, përveç Kinës, Shteteve të Bashkuara, Indisë dhe Rusisë.”
Ndërkohë, viti 2024 zë vendin e dytë për emetimet e lidhura me zjarret që ndodhën në veri të rrethit polar arktik, theksoi agjencia në faqen e saj zyrtare.
Për më tepër, sipas raportit të NOAA-s, bazuar në vëzhgimet e realizuara ndërmjet viteve 2001 dhe 2020, temperaturat e regjistruara në sipërfaqen e Oqeanit Arktik, si dhe ato në një thellësi prej të paktën 15 metrash në përmafrost, kanë vazhduar të rriten vitet e fundit.
Arktiku po preket nga një fenomen i quajtur **”amplifikim,”** që do të thotë se ai po ngrohet më shpejt se zonat me gjerësi të mesme gjeografike. Ky mekanizëm shkaktohet nga disa faktorë, si shkrirja e shtresës së borës dhe akullit, por edhe ngrohja e oqeaneve.
Ndërsa rritja e temperaturave të lidhura me ngrohjen klimatike stimulon produktivitetin dhe rritjen e vegjetacionit, që thith dioksid karboni, ajo gjithashtu shkakton shkrirjen e përmafrostit.
“Efekte të pakthyeshme”
Fakti që tundra aktualisht emeton më shumë CO2 sesa magazinon është një **”shenjë paralajmëruese alarmante,”** reagoi Brenda Ekwurzel, klimatologe pranë organizatës joqeveritare amerikane Union of Concerned Scientists.
“Kur të arrihen, shumë nga këto kufij të efekteve negative mbi ekosistemet janë të pakthyeshme,”** paralajmëroi ajo.
“Emetimet e përmafrostit nuk do të tejkalojnë emetimet e lidhura me karburantet fosile, por përbëjnë një kategori të rëndësishme, që duhet marrë parasysh,” theksoi Brendan Rogers.
Arktiku jo vetëm që po bëhet më i ngrohtë, por edhe më i lagësht, shtoi NOAA, me verën e vitit 2024 që ishte vera më me shi e regjistruar ndonjëherë. Kjo prirje përshpejton erozionin bregdetar, duke kërcënuar komunitetet autoktone që varen nga stabiliteti i akullit dhe praktikat tradicionale të gjuetisë.
Temperatura e përmafrostit malor në Evropë është rritur
Temperatura e përmafrostit malor në territorin e Evropës është rritur me 1 gradë Celsius në dhjetë vitet e fundit, sipas një studimi të ri shkencor të publikuar të martën, raporton DPA.
“Ngrohja e përmafrostit malor është domethënëse dhe është e dukshme në të gjitha rajonet, thellësitë dhe periudhat që kemi analizuar,”** tha një nga bashkautorët e studimit, Jeannette Nötzli, që punon në Institutin Zviceran për Kërkime mbi Borën dhe Ortekët, me seli në Davos.
Përmafrosti përfaqëson materiale në tokë si shkëmbinj dhe zhavorr që mbeten në një temperaturë nën 0 gradë Celsius për disa vite. Rajonet e ftohta ku ndodhet përmafrosti, si zonat malore dhe polare, reagojnë më fuqishëm ndaj ndryshimeve klimatike.
Sipas studimit të publikuar në revistën Nature Communications, rritja e temperaturave të përmafrostit në rajonet malore të Evropës është, në disa raste, po aq e lartë sa në zonën arktike, dhe ngrohja më e madhe është regjistruar në zona me lartësi të mëdha dhe më veriore.
“Kur temperaturat e përmafrostit të ngrirë rriten deri në zero gradë Celsius, ngrohja ngadalësohet ndjeshëm dhe pothuajse ndalon, sepse nevojitet energji për të shkrirë akullin nën tokë,” theksoi instituti në një deklaratë për shtyp.
“Kur akulli i përmafrostit shkrihet, temperaturat rriten sërish.”
Rreth 5% e territorit zviceran përbëhet nga përmafrosti, zakonisht në zonat e ftohta të shkëmbinjve dhe terreneve me zhavorr, që ndodhen mbi 2,500 metra mbi nivelin e detit.