Raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është caktuar për 17 dhjetor në Bruksel, është konfirmuar për “Euronews Serbia”.
Në këtë takim si ndërmjetës do të jetë përfaqësuesi special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Në takim do të marrin pjesë negociatorët kryesorë, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia.
Petkoviq ka thënë për median serbe “Blic” se “edhe këtë herë do të insistojë në një takim trepalësh”, gjegjësisht që Kosova dhe Serbia të ulen në të njëjtën tryezë, transmeton Paparaci.
“Ne jemi të gatshëm, kemi vullnet politik që të shkojmë në drejtim të zgjidhjes së të gjitha problemeve, sidomos mbi ato marrëveshje për të cilat tashmë janë dakorduar”, ka thënë Petkoviq.
Petkoviq ka theksuar rëndësinë e dialogut “për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë”.
Ai ka thënë se Serbia “gjithmonë insiston në dialog” dhe ka pretenduar se “delegacioni i Beogradit gjithmonë vjen me një grup ekspertësh dhe dokumentacion të gjerë, ndërsa përfaqësuesit e Kosovës vijnë jo mjaftueshëm të përgatitur dhe i shmangen temave kyçe, siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.
Dialogu i fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve është mbajtur në Bruksel më 24 tetor, kur është mbajtur një takim trepalësh. Palët, megjithatë, nuk arritën të bëjnë një përparim.
Më pas Lajçak ka thënë se kanë biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila në thelb ende nuk ka filluar, ndërsa Petkoviqi ka insistuar vetëm në formimin e Asociacionit.