Dita e sotme shënon Ditën Kombëtare të Rinisë. 8 dhjetori kujton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së saj, kur 34 vite më parë nisi Lëvizja Studentore që solli demokracinë në vend dhe rrëzoi komunizmin.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.