Tirana u kthye këtë të shtunë në kryeqytetin e bashkëpunimit mes qyteteve të Ballkanit, duke mirëpritur kryetarë bashkish nga rajoni në kuadër të rrjetit më të madh të bashkive të Ballkanit, B-40. Në Forumin Urban të Tiranës, me temë “Lidershipi për qytete të jetueshme”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë e qyteteve si qendra të zhvillimit ekonomik dhe social në Shekullin XXI.
Ai nënvizoi se Tirana i ka kushtuar një vëmendje të posaçme të rinjve dhe fëmijëve në politikat e saj. “Ne jemi fokusuar te fëmijët sepse ata janë 100% e ardhmja”, tha Veliaj. Sipas tij, Tirana është sot një qytet i hapur, mikpritës dhe dinamik. “Unë jam rritur në këtë qytet, kur kishte vetëm 200 mijë banorë dhe të gjithë ishin shqiptarë. Sot është një qytet ku vijnë me mijëra turistë çdo muaj. Vendet mund të ndryshojnë, qytetet mund të ndryshojnë, dhe nga një vend i izoluar, me një regjim që i shkatërroi të gjitha, sot jemi një vend i hapur, ku na vizitojnë kaq shumë miq nga e gjithë bota”, shtoi ai.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për lidershipin dhe mikpritjen, duke e cilësuar Tiranën si një shembull të bashkëpunimit rajonal.
“Jam tej mase i lumtur që jam këtu sot me ju, teksa mbyllim mandatin e suksesshëm të Tiranës si Presidente e rrjetit tonë të qyteteve ballkanike B-40. Nën lidershipin e kryetarit të bashkisë, vëllait tim, Erion Veliaj, i cili mori frerët e drejtimit në fillim të vitit 2024, B-40 është bërë pikërisht një shembull ndriçues i bashkëpunimit në Ballkan dhe më tej. Falë lidershipit të tij vizionar, Tirana është rritur në mënyrë të qendrueshme, duke çimentuar pozicionin e saj si një hub ndërkombëtar i kulturës dhe inovacionit, dhe një fuqi prodhuese për rrjetin B-40 dhe rajonin. Forumi Urban i Tiranës është një dëshmi e këtij vizioni”, tha Imamoglu.
Në një atmosferë miqësore, kryetarë bashkish dhe përfaqësues të qeverive lokale ndanë përvojat e tyre për sfidat dhe inovacionet që lidhen me zhvillimin urban. Ky forum shënon një moment të rëndësishëm për Tiranën, e cila mbajti përgjatë 2024 presidencën e saj në rrjetin B-40, duke treguar se bashkëpunimi rajonal është çelësi për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve të Ballkanit.