Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare kanë organizuar pritje me rastin e kthimit nga Haga të ish-zëvendëskomandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashotës.
Në fjalën e tij, Bashota falënderoi të gjithë ata që e pritën, dhe u shpreh se luftëtarët e UÇK-së do të dalin faqebardhë, ashtu si vetë ai.
Bashota shton se UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet në Hagë, sepse atë e mbron sakrifica e vendit tonë.
“Isha 18 ditë në Hagë, para pesë vjetësh kur kam shkuar si i dyshuar atje kam thënë ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka nevojë që të mbrohet atje, atë e mbron lufta e drejtë, atë e mbron qëllimi i drejtë, atë e mbron sakrifica për këtë vend, ne thjesht i kemi shërbyer drejtësisë, dhe nuk ka nevojë për asgjë më tepër, jo vetëm këtu, por gjithkund, por të thuhet vetëm e vërteta. Dhe epilogu i kësaj do të jetë po i njëjtë për të gjithë, sikur edhe për mua. Unë personalisht nuk është që nuk jam i guxuar që kanë pushuar hetimet ndaj meje, por më shumë më gëzon fakti se ata dëshmorë edhe një herë, se lufta e Ushtrisë Çlirimtar të Kosovë ishte e pastër”, tha Bashota.
“Ne çdo herë do mbrojmë këtë luftë të shenjtë, historia nuk mund të shkruhet më, ajo është shkruar me gjakun e Adem Jasharit, Krasniqit e plot e plot luftëtarëve të tjerë. Ne do të dalim faqebardhë”, shtoi tutje ai.