Andis Harasani, ish-drejtori i KESH dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste për 2 legjislatura është ndarë nga jeta në moshën 54- vjeçare, si pasojë e sëmundjes së kancerit, prej së cilës kishte 2 vjet që vuante.
Bashkëshortja e ish-deputeti, Suela Harasani ka ndarë me hidhërimin lajmin për ndarjen nga jeta të ish-deputetit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan se edhe pse luftoi shumë, fatkeqësisht ai nuk arriti që të fitonte betejën me sëmundjen e kancerit.
‘Të dashur familjarë e miq. Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme të njeriut tonë të zemrës, babait, bashkëshortit, djalit, vëllait, mikut Andis Harasani. Andisi ynë luftoi për jetën me forcën, besimin dhe vendosmërinë që e karakterizonte gjithmonë. Ai luftoi fort për ne dhe nuk reshti kurrë së dhuruari dashuri, mbështetje e forcë. Fatkeqësisht, e humbëm betejën kundër kancerit. Unë, Thea dhe Henry jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim jete që krijuam bashkë. Ti do të mbetesh në zemrat tona njeriu ynë më i shtrenjtë, me humor të pakrahasueshëm, gjithë mençuri e guxim për të ecur përpara. Do të na mungosh pafundësisht, dashuria jonë’, shkruan ajo.
Ndërkohë, një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-deputetit ka shprehur edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla
‘U prehsh në paqe Andis Harasani!’, shkruan ai.
Një mesazh ngushëllimi për familjen e ish-deputetit është bërë edhe nga një mik i tij Agim Muco, i cili shkruan se Andis Sarasanin e ka pasur edhe student.
“Para pak minutash u njoftova se u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Andis Harasani. Andisin e kam njohur kur e kisha student në Fakultetin Ekonomik. Ishte vërtetë një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte&Touche Tirana. Ishte një tirons i omël por dhe djal i zoti”, shkruan ai.
Andis Harasani, u larguar nga politika në vitin 2013 kur Edi Rama erdhi në pushtet dhe jetoi në SHBA, ku u zhvendos me familjen e tij. Megjithatë, nuk ju larguar jetës publike, duke qenë prezent në rrjete sociale si një kritik i ashpër i Ramës dhe PS-së’, shkruan ai.
Kush ishte Andis Harasani?
Andis Harasani është zgjedhur dy herë deputet, në zgjedhjet e vitit 2005 dhe ato të vitit 2009. Harasani ishte një nga drejtorët kryesorë të Fatos Nanos në vitin 2005 që iu fut politikës përmes kandidimit për deputet.
Deri në atë vit ai kishte drejtuar Korporatën Elektro-energjetike Shqiptare (KESH), moment kur Nano e thirri për ta kandiduar përballë Shaban Memisë në një nga zonat e Tiranës, në njësinë nr.4.
Harasani e fitoi përballjen me kandidatin demokrat dhe ishte nga të paktët socialistë që fitoi në kryeqytet, ku mori edhe mandatin e parë të deputetit. Pas ndryshimit të lidershipit socialist pas humbjes së zgjedhjeve, ai ishte sërish një nga kandidatët e Edi Ramës në Tiranë. Këtë herë, jo në njësinë nr. 4 por në zonën e Rrogozhinës.
Në vitin 2009, Harasani fitoi mandatin e dytë parlamentar, por që nuk do ta përfundonte atë. Në vitin 2012, vetëm një vit para zgjedhjeve të përgjithshme që do të shënonin edhe rikthimin e socialistëve në pushtet, ai vendosi ta lërë mandatin “për arsye personale”, siç e deklaroi edhe publikisht në atë kohë.
Vendin e tij e zuri Auron Tare, ndërkohë që Harasani vijoi angazhimet e tij personale jashtë Shqipërisë.