Gjatë ditës së djeshme, gati një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve paralamentare, ka përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave.
Pas numërimit të të gjitha votave, pason shpallja e rezultateve përfundimtare dhe procesi i certifikimit të rezultateve, që mund të marrë kohë, po ashtu.
Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota, por jo mjaftueshëm sa për ta formuar qeverinë vetë.
Kjo parti ka fituar rreth 41 për qind të votave, duke mos arritur të përsërisë suksesin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur mori mbi 50 për qind të votave. Me këtë rezultat partia e parë duhet të bëjë “kompromise” për të arritur formimin e Qeverisë së re.
Për formimin e qeverisë së Kosovës, nevojiten më së paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit.
Kuvendi dhe Qeveria e re
Kuvendi duhet të konstituohet pasi të jenë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Pika 1 e nenit 66 të Kushtetutës thotë se Kuvendi zgjidhet në seancën konsistuive e cila “mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.
Presidentja Vjosa Osmani “e thërret seancën e parë të Kuvendit”, sipas pikës 3 të të njëjtit nen. Nëse ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë, “Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”, thotë Kushtetuta.
Seanca e parë udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallën e Kuvendit.
Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, siç përcaktohet në nenin 67. Ai zgjidhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).
Deputetët duhet t’i zgjedhin edhe 5 nënkryetarë të Kuvendit, 3 prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.
Ndërsa legjislatura e re e Kuvendit detyrë të radhës ka zgjedhjen e Qeverisë, presidentja i fton partitë politike parlamentare për konsultime.
Ajo më pas, siç parasheh pika e parë e nenit 95 të Kushtetutës, “i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.
Kandidati i caktuar për formimin e qeverisë më pas duhet ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para deputetëve “jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë”, pasi të jetë mandatuar, thotë pika e dytë.
Sikurse edhe kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, Qeveria zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).
Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja “brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”, parasheh Kushtetuta.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidentja “i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thotë pika 4 e nenit 95 të Kushtetutës.