Emërtimi i rrugëve në Tetovë vazhdon të kundërshtohet nga partitë maqedonase në Tetovë. Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka njoftuar se tërhiqet nga të gjitha grupet dhe strukturat komunale, të cilët janë të angazhuar në procedurat për emërtimin e rrugëve. LSDM, parti e cila në Këshillin e Komunës së Tetovës përfaqësohet nga dy këshilltarë, akuzoi Kasamin se nuk i ka dëgjuar thirrjet e opinionit se emërtimi i rrugëve nuk është prioritet. Në këtë vijë ishte e reagimi edhe i VMRO-DPMNE-së, e cila tha se këshilltarët e kësaj partie nuk do të votojnë ndryshimin e emrave të heronjve maqedonas në të gjitha etapat e shtetit. Madje, nga kjo parti rikujtuan edhe deklaratën e kryeministrit Mickoski, se nuk do të shqyrtojë një vendim i cili nuk ka konsensus.
Këto komente, dy partitë maqedonase i kanë bërë këtyre gjatë përplasjeve politike mes tyre. Në ndërkohë, kryetari i Komunës së Tetovës tha se procedura për emërtimin e rrugëve është një nga proceset më të rëndësishme në komunën e Tetovës dhe se respektohen të gjitha ligjet. Sipas tij, ende shumë rrugë në Tetovë nuk kanë as numra as emra dhe prandaj ky proces duhet që të përkrahet nga të gjithë qytetarët.
“Po të kisha paragjykuar se disa rrugë do të emërtohen, disa nuk do të emërtohen, por do të ngelin emrat e vjetër i vjen se unë përfshihem në proces dhe unë si kryetar komune menaxhoj me këtë proces, por organ vendimmarrës është Këshilli i komunës. Këshilli komunal ka krijuar komision, komisioni ka bërë shpalljen dhe i gjithë procesi shkon sipas ligjit. Në asnjë moment nuk paragjykoj se cili do të jetë rezultati i këtij procesi, se ajo që është kërkesa e imja por edhe e të gjithë qytetarëve të Tetovës që në fund të këtij procesi, çdo rrugë të ketë emër dhe çdo shtëpi të ketë numër”, deklaroi Kasami. Sipas tij, pasi që komisioni të sjell mbyllë punën e tij, ai do të duhet që të del me një raport para këshillit të komunës.
“Unë mendoj se është forma më demokratike e emërtimit të rrugëve konform ligjit. Nëse këshilli komunal është nga të gjitha partitë politike dhe etnike dhe do të sjell vendim që një rrugë të ketë një emër,atë vendim do ta respektoj, prandaj unë mendoj se është proces demokratik” deklaroi Kasami.
Ndryshe, prej se është krijuar komisioni për emërtime të rrugëve në kuadër të komunës së Tetovës, në vazhdimësi, partitë politike maqedonase, organizata të LNÇ-së dhe shoqata tjera kanë dalur hapur kundër ndryshimit të emrave. Ndonëse janë pakicë në komunën e Tetovës, maqedonasit janë më të zëshëm për sa i përket temave etnike. Kësaj radhe kanë dalur hapur kundër emrave të rrugëve. Në grupin e punës në kuadër të komunës së Tetovës, përfaqësuesit e partive politike shqiptare kanë një unitet mes tyre.