Bedri Shabani e Muharrem Qerimi sot do të dalin para gjykatës, në shqyrtimin e tyre fillestar. Mbi ta rëndojnë akuzat e rënda të veprave penale kundër rendit kushtetues, ato të spiunazhit
Sipas Prokurorisë, të njëjtit bashkëpunuan për vite të tëra me shërbimin sekret të Serbisë, duke u dhënë informacione për UÇK-në, e masakrat që kanë ndodhur në Kosovë.
Seanca fillestare pritet të mbahet në ora 13:15.
Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, për veprën “Spiunazhi”, shkruan Reporteri.net.
Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të dy me etni shqiptare, u arrestuan nga Policia e Kosovës më 05.06.2024 për shkak të dyshimit për spiunazh. Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Gjatë batisjes në shtëpitë e të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.
Që të dy janë arrestuar muajin dhe pjesë e aksionit ka qenë edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Dënueshmëria minimale për këtë vepër është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.