FFK ka njoftuar para pak çasteve se është ankuar edhe zyrtarisht në CAS për vendimin e ballafaqimit Rumani – Kosovë.
Kujtojmë se muajin e kaluar, ndeshja Rumani – Kosovë u ndërpre pas thirrjeve raciste të tifozëve rumunë – ku më pas lojtarët e Kosovës lëshuan fushën. Ndeshja nuk vazhdoi, teksa disa ditë më vonë, UEFA mori vendim për fitoren e Rumanisë me rezultatin 3-0.
Më poshtë keni njoftimin e FFK për ankesën në CAS në lidhje me ndeshjen:
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opionionin publik se në afatin e përcaktuar kohor, ka proceduar në CAS (Court of Arbitration of Sport) ankesën ndaj vendimit të UEFA-s në lidhje me ndeshjen Rumani- Kosovë, të datës 15.11.2024.
FFK-ja, përveç angazhimit të ekipit të vet ligjor, është në konsultim edhe me disa studio ligjore me përvojë të madhe me lëndët në CAS, kryesish nga Zvicra dhe Gjermania, për t’ u përfaqësuar në mënyrën e vet më të mirë në këtë betejë ligjore në kërkim të së drejtës për Federatën dhe ekipin tonë Kombëtar.
Federata e Futbollit e Kosovës shpreh besimin e saj të plotë që CAS do të marrë vendim të drejtë e meritor”, shkruhet në njoftim.