Pak minuta para mesnatës, afati i fundit për të paraqitur regjistrimin për koalicionet në KQZ, Partia Demokratike e Sali Berishës deklaroi koalicionet e saj bashkë me Partinë e Lirisë së Ilir Metës dhe 24 forca politike të tjera. Koalicioni i Berishës quhet Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Sipas marrëveshjes PL e Ilir Metës do të marrë 4 deputetë në lista të sigurta, ndërsa nga 1 do të marrin Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Agron Duka. Kështu çamët dhe grekët bashkohen rreth Berishës i cili ka lënë në këtë mënyrë 8 mandate të sigurta për aleatët.
Partia Socialiste ka vendosur përfundimisht të garojë e vetme pa asnjë koalicion, ashtu si PSD, Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe partia e re e Lulzim Bashës. Sipas gazetares së Report TV Esiona Konomi, përfundimisht 31 parti garojnë në 3 koalicione, ndërsa 22 të tjera do të garojnë të vetme.
Gjatë ditës së sotme u dorëzua gjithashtu në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesa e parë për koalicionet elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Është grupimi ‘Djathtas 1912′ i Enkelejd Alibeajt dhe LZHK-së së Dashamir Shehit ai që i është drejtuar sot KQZ-së me kërkesën për regjistrim disa orë para se të përfundojë ky afat.
Koalicioni është emërtuar “Djathtas për Zhvillim”, duke shkrirë dy siglat e partive në fjalë, për një mision zgjedhor dhe politik.
Ky koalicion do përbëhet nga këto dy parti dhe sigla e përfaqësimit të saj do të jetë “DZH”. Në shkresën e dorëzuar renditen edhe synimet politike dhe zgjedhore të koalicionit.
Pak më pas dorëzoi kërkesë edhe Adriatik Lapaj, për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, me partinë ‘Nisma Thurje’ të Endri Shabanit.
Afati kushtetues për regjistrimet e koalicioneve skadoi ne mesnatë..