Presidenti Bajram Begaj, përkujtoi sot 581-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, duke risjellë në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve se mesazhi historik i Kuvendit të Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur kurrë rëndësinë e tij.
“581 vite më parë, nën udhëheqësinë e Gjergj Kastriotit, u mbajt Kuvendi i Lezhës, i cili shënoi krijimin e një aleance të fuqishme politike e ushtarake për t’iu kundërvënë pushtimit e mbrojtur trojet e të parëve.
Mesazhi historik që vjen nga Kuvendi i Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur asnjëherë vlerën dhe rëndësinë e tij. Shqipëria bëhet më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë nga kontributi i gjithësecilit, nga bashkimi i energjive pozitive të të gjithë shqiptarëve, kudo ata janë”, – shkroi Presidenti Begaj në llogarinë e tij në rrjetin social në facebook.
E mbajtur në katedralen e ‘Shën Kollit’ në Lezhë më 2 mars 1444, Besëlidhja e Lezhës ishte një aleancë ushtarake mes princave arbërorë të kohës me qëllim formimin e një boshti të fortë kundër perandorisë osmane që kërcënonte ekzistencën e shqiptarëve.
Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak.
Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman. Kuvendi realizoi Besëlidhjen e madhe shqiptare, që i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit, ku u farkëtua shpirti i arbërve dhe identiteti ynë kombëtar