Unioni CDU/CSU doli fitues i zgjedhjeve në Gjermani. Friedrich Merz pritet të jetë kancelari i ardhshëm. AfD dyfishoi votat. Si kanë reaguar liderët botërorë?
Sipas rezultateve paraprake të bëra të ditura nga Komisioni Zgjedhor, Unioni CDU/CSU kryeson rezultatet e votimeve me 28,52% të votave. E dyta renditet AfD me 20,80%. Pastaj Socialdemokratët e SPD me 16,41% të votave, Të Gjelbrit kanë marrë 11,61% të votave. E Majta ka shtuar votat duke arritur në 8,77%. Kurse jashtë Bundestagut mbetet FDP me 4,33% dhe Aleanca Sahra Wagenknecht me 4,97%.
Rezultatet e zgjedhjeve për Bundestagun u pritën me ndoqën me shumë vëmendje edhe jashtë Gjermanisë.
Urimet për CDU/CSU vijnë kryesisht nga kampi i djathtë dhe konservator jashtë vendit, por edhe nga politikanë të tjerë.
Donald Trump: Ditë e madhe për Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara
Pasi administrata e Trump para zgjedhjeve kishte shprehur preferenca për partinë Alternativa për Gjermaninë, AfD, pas zgjedhjeve u shpreh edhe presidenti amerikan, Donald Trump.
Në platformën Truth Social ai u shpreh se “duket se partia konservatore e Gjermanisë ka fituar zgjedhjet e shumëpritura”.
Ngjashëm me SHBA-të, duket se njerëzit në Gjermani janë ngropur me “agjendën e pa sens e të pakuptimtë” – veçanërisht në fushat e energjisë dhe imigracionit, u shpreh republikani Trump.
Një “ditë e shkëlqyer për Gjermaninë dhe për Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e një zotërie të quajtur Donald J. Trump”.
Nga vendi fqinj, Austria uroi AfD-në kreu i partisë populiste austriake, FPÖ, Herbert Kickl.
FPÖ e Kickl u bë partia më e fortë në zgjedhjet austriake në shtator 2024 me një 26 për qind, por negociatat e koalicionit deri më tani kanë dështuar.
Costa: Ta bëjmë Evropën më të fortë
Edhe presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa uroi Friedrich Merz për fitoren e tij në zgjedhjet federale.
Costa u shpreh në platofrmën X se ai gëzohej për bashkëpunimin e ngushtë me të për ta bërë Evropën më të fortë, më të suksesshme dhe më autonome: “Këto mund të jenë kohë sfiduese. “Por unë e di se, si në të kaluarën, Bashkimi Evropian do të japë rezultate dhe do të dalë më i fortë”.
Izraeli: “Gëzohemi për vizitën tuaj të parë si kancelar”
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu i shprehu Friedrich Merz-it “nga CDU/CSU urime” për fitoren e tij “të qartë” në zgjedhje.
Kreu konservator i qeverisë izraelite vazhdoi të shkruante në X: “Gëzohem të punoj ngushtë me qeverinë tuaj të ardhshme”, sidomos “për të përforcuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona”.
Macron uron Merz dhe shpreh miqësinë e tij me Scholz
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili është vetë nën presion politik brenda vendit, shkroi se foli me fituesin e zgjedhjeve Merz në mbrëmje dhe e uroi atë, siç shkroi në X.
Ai u shpreh se këmbu mendime edhe me kancelarin aktual Olaf Scholz (SPD) dhe shprehu miqësinë ndaj tij.
“Ne jemi më të vendosur se kurrë për të arritur gjëra të mëdha së bashku për Francën dhe Gjermaninë dhe për të punuar drejt një Evrope të fortë dhe sovrane”.
Partia populiste e pjesërisht ekstremiste e djathtë, AfD mori urime edhe nga ekstremisti i njohur francez i krahut të djathtë, Éric Zemmour.
“Çfarë suksesi i bukur zgjedhor!”, shkroi Zemmour në platformën X.
Ai vetë shkroi se gjendet në Berlin “në krah të Alice Weidel”.
Zemmour publikoi një video në të cilën i shtrëngoi dorën liderit të AfD-së.
Urime erdhën për Unionin CDU/CSU edhe nga Britania e Madhe.
Kryeministri britanik Keir Starmer shkroi në platformën X se gëzohej të punonte me qeverinë e re federale.
Bëhet fjalë për “thellimin e marrëdhënieve tona tashmë të ngushta, përmirësimin e sigurisë sonë të përbashkët dhe rritjen ekonomike për të dy vendet”, tha politikani laburist.
Urime të përzemërta, Friedrich Merz për suksesin zgjedhor dhe mandatin qeveritar!”, shkroi kryeministri socialdemokrat i Norvegjisë Jonas Gahr Støre. “Gjermania është partneri më i rëndësishëm i Norvegjisë në Evropë”.