Buxheti i vitit 2025 do të marrë sot dritën jeshile në Parlament, në votimin nen për nen. PD ka depozituar 34 amendamente, mes të cilave 2 që mbajnë firmën e Sali Berishës, i cili rikthehet në këtë seancë pas gati 1 viti mungesë. PL ka propozuar 11 amendamente.
Në Kuvend, ditën e sotme priten diskutime të gjata për shkak se kalon për votim buxheti i vitit 2025 prej 8.2 mld eurosh, më i madhi në histori. Pasi ka kaluar shqyrtimin dhe diskutimet në të gjitha komisionet parlamentare, tashmë buxheti do të miratohet nen për nen në Kuvend.
Në seancën që konsiderohet ndër më të rëndësishmet e aktivitetit parlamentar, rikthehet pas gati 1 viti mungese për shkak të arrestit shtëpiak dhe akuzave në dosjen e aferës “Partizani”, Sali Berisha, i cili buxhetin prej 8.2 mld eurosh e ka konsideruar si draftin e vjedhjeve të mëdha.
Rikthimi i Sali Berishës u shënjua me depozitimin e 34 amendamenteve të PD-së për buxhetin e vitit të ardhshëm, mes të cilave 2 mbajnë firmën e tij. Ndërkohë, 11 amendamente janë depozituar nga Partia e Lirisë, përmes së cilave kërkohet një shtesë në buxhet me rreth 45 mld lekë.
Mazhoranca pritet të refuzojë amendamentet e demokratëve dhe të ngrejë në seancë plenare kartonët e kuq.
Gjatë mbledhjes së grupit amendamentet e Partisë Demokratike janë konsideruar provokim politik nga socialistët, ç’ka priret të reflektohet edhe në qëndrimin e tyre në seancë.