Tirana të premten nuk ka mundur dot të zhvillojë një stërvitje të plotë. Edhe pse skuadra punoi për rreth 50 minuta, reshjet e dendura të shiut kanë bërë që trajneri Gugash Magani të përshpejtojë disa procese dhe më pas të ndalë stërvitjen.
Në fakt, ishte e pamundur që skuadra të punonte edhe në fushën me bar sintetik, pasi shikueshmëria nuk ekzistonte dhe topi nuk qarkullonte lirshëm, pa llogaritur shiun e dendur dhe pellgjet me ujë. Në këto kushte, Magani urdhëroi vrapime dhe më pas drejt e në dush. Të vetmit që punuan pak më shumë ishin portierët, por edhe ata u dorëzuan.
Me një skuadër shumë të populluar në repartin e sulmit, Magani po mendon se cilët do të sakrifikohen. Me një skemë 4-2-3-1, Tirana mund të zbresë të dielën në fushë. Në portë është i zakonshmi Selmani, ashtu si edhe mbrojtja me Isufin, Dembelenë, Kolën dhe Përgjonin. Më pas dy digat, Meta e Soler. Para tyre një treshe që nis nga Gjumsi, Ismajli dhe Haxhiu. Si pykë e vetme është Zharmuni. Të gatshëm janë edhe Bajroviç, Abah, Jonuzi e ndonjë lojtar tjetër, të cilët janë opsione për trajnerin e bardhebluve.
Si në çdo ndeshje derbi, edhe këtë sfidë nga drejtuesit e Tiranës pritet të ketë një premio. Si zakonisht shuma vërtitet mes 20 milionë dhe 30 milionë lekëve të vjetër. Gjithsesi, të shohim. Fakt është që presidenti Refik Halili, gjithmonë është treguar kavalier dhe ka deklaruar premio para ndeshjes derbi. Madje edhe në Elbasan skuadra ka pasur bonus nëse fitonte në transfertë. Tre ndeshje ka luajtur pa tifozë ekipi i Tiranës.
Kështu në sfidën me Egnatian, atë me Bylisin dhe në Elbasan mungonin tifozët kryeqytetas. Për t’u shënuar edhe fakti që për Tiranën, derbi do të jetë ndeshja e katërt që luan në kryeqytet dhe e treta si pritëse që e zhvillon në fushën e vet. Janë 12 takime të tjera që i ka luajtur jashtë shtëpisë apo si udhëtuese.