Infrastruktura kritike e Kosovës ka përjetuar mbrëmë sulmin më të madh terrorist, që nga paslufta. Pasi në veri, kanali i Ibër-Lepencit është goditur me eksplozivë, autoritetet e kanë rivendosur rrjedhën dhe kanë parandaluar kolapsin energjetik. Policia, ndërkaq, ka siguruar prova dhe ka arrestuar disa nga të dyshuarit. Kryeministri Albin Kurti e fajësoi Serbinë për sulmin.
Disa orë pas sulmit terrorist me eksplozivë në kanalin e Ibër-Lepencit, autoritetet e sigurisë kanë kapur materiale dhe kanë arrestuar të dyshuar që synuan ta godasin infrastrukturën kritike të shtetit.
Paralelisht me punën e ekipeve në terren për t’i evituar pasojat nga dëmi, policia ka bastisur disa shtëpi në Varagë të Zubin-Potokut.
Për rezultatin e aksionit, foli kryeministri Albin Kurti, i cili e vizitoi vendin ku ndodhi shpërthimi në orët e vona të së premtes.
“Policia po i zhvillon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Kurti e fajësoi Serbinë për sulmin.
“Këto sulme janë kryer nga profesionistë. Unë e pashë në vendin e ngjarjes nuk ka mundësi që këtë ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjnë qytetarët e zakonshëm, e ka bërë një organizatë që është profesioniste për veprime të tilla terroriste dhe aftësinë, kapaciteti, interesin për një gjë të tillë e ka vetëm Serbia”, u shpreh Kurti.
Krahas autoriteteve të sigurisë, menjëherë pas sulmit, janë aktivizuar edhe ekipet e emergjencave. Ato kanë arritur ta rivendosin rrjedhën në kanalin e Ibër-Lepencit, nëpërmjet të cilit një pjesë e komunave furnizohen me ujë për pije, e nga i cili varet edhe funksionimi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Ferronikelit dhe Termokosit.
Masa të forta sigurie janë ndërmarrë në vendin ku makineritë vazhduan punën, për t’i sanuar dëmet nga sulmi.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes së Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, tha se sanimi i plotë i kanalit do të marrë kohë.
“Jemi shumë të kënaqur me intervenimin tonë të mbrëmshëm me një organizim dhe mobilizim të shpejtë, të cilën me siguri ata që e kanë bërë këtë dëm apo këtë akt terrorist nuk e kanë pritur”, tha Mujka.
Forca detonuese nga shpërthimi ka lënë pasoja edhe në disa objekte banimi, ndërsa nga devijimi i rrjedhës së ujit është vërshuar një shtëpi.
Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, tha se sulmi ka mundur t’u kushtojë me jetë njerëzve.
“Dëme në njerëz do të thotë nuk ka. Ka dëme materiale, shtëpia…. uji ka hy brenda dhe një grua ka dalë për dritares, ka arritë të dalë mbrëmë pas sulmit dhe u informova prej asaj se fillimisht kanë dëgjuar shpërthim të madh do të thotë këtu dhe më pastaj ka vërshuar uji dhe është rrezikuar, do të thotë edhe jeta e qytetarëve”, deklaroi Zeqiri.
Në vendin ku ka ndodhur sulmi me eksplozivë, përveç Policisë janë paraqitur edhe ekipe të KFOR-it dhe EULEX-it. Makineri të shumta të të dyja misioneve kanë lëvizur gjatë gjithë ditët në rrugët që çojnë te fshati Varagë e Zubin-Potokut.