Kanalet e ujësjellësit të Kompanisë Rajonale ”Ibër Lepenc” në veri të vendit dyshohet të jenë sulmuar me dinamitë.
Incidentin për Indeksonline, e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, ku njoftuan se janë në teren duke hetuar rastin.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”.
Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar edhe kryeshefi i kësaj KRU-je, Faruk Mujka, ku njoftoi se po mundohen të sanojnë dëmin.
“Po. Këtë punë e ka marrë në kompetencë policia. Po, e kemi një dëmtim dhe për momentin e kemi ndaluar ujin dhe po këqyrim me e sanu sa më shpejt, sepse prej aty po lirohet edhe ujësjellësit edhe KEK-u. Kështu që, po këqyrim sa më shpejt me e rregullu këtë punë”, tha Mujka.
I pyetur nëse dyshohet të ketë ndodhur qëllimisht kjo gjë, Mujka u shpreh se s’ka si të jetë ndryshe.
“Në momentin kur e gjunë dikush ndonjë dinamit aty, e qëllimshme është ajo, s’ka si të jetë tjetër”, përfundoi Mujka