Momente debati dhe tensione që degraduan deri në veprime dhune nga deputetët e PD-së shoqëruan sot seancën e Kuvendit që nisi prej orës 10:00 dhe u mbyll në orën 14:30 pa u hedhur në votim pr/ligjet e rendit të ditës, mes tyre ndryshimet në kodin zgjedhor për votën e diasporës dhe shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së. Opozita përqëndroi sulmin politik tek arrestimi nga SPAK i kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ndërkohë maxhoranca kujtoi vrasjet e 21 janarit të cilat ende nuk janë zbardhur.
Ndërkohë ministria Balla i kujtoi Berishës 500 mijë eurot që ka paguar zyrën e avokatisë për t’i hequr non gratën në Londër, zyrë e cila sipas Ballës mbron kriminelët serbë kundër UÇK. Kjo si duket irritoi Nokën, i cili me ta dëgjuar këtë deklaratë u ‘turr’ drejt Ballës dhe e sulmoi me shishe uji, çka i shkaktoi dhe përjashtimin. Nga ana e tij Berisha akuzoi ministrin Manja se ka marrë 500 mijë euro nga çunat e Londrës.
Deputetët e PD-së në tentativë për të bllokuar foltoren u përplasën me gardën. Deputeti i PD-së Petrit Doda shkuli mikrofonin e tentoi të godasë ministrin Balla, ndërsa Flamur Noka tentoi të godasë edhe kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali me shishe uji teksa fliste, por e ndaluan gardistët. Opozita kërkon shkarkimin e Erion Veliajt dhe kërkuan Ramën në Kuvend, ndërsa Spiropali tha se duhet respektuar prezumimi i pafajësisë.
Seanca u ndërpre 2 herë gjatë ditës ndërsa kryetarja e Kuvendit disa herë paralajmëroi se do e mbyllte nëse do vijohej me tensione
“Nëse kjo seancë do të kthehet në një seancë fyerjesh, shpifjesh e kthehet në mejdan e qenef do të mbyllet seanca do të merret koha e pushimit do të përjashtohet ai që e përdor dhe do kalojmë direkt në votim. Uluni zoti Noka keni prishur mikrofonat se do të përjashtoheni nga seanca. Ju fyertjet I përdorni boll. Nëse ndodh ju paralajmëroj se do të ndodhë.
Në momentin kur seanca u ndërpre për herë të dytë, për të kaluar në votim deputetja demokrate Elda Hoti mblodhi kartat e ligjvënësve socialistë me qëllim që të pengojë votimin në Kuvend. Ndësa kur seanca rifilloi në 14:30 njoftoi mbylljen.
“Uroj që të hënën të vini me mend të tjera” tha Spiropali duke caktuar seancën e radhës në orën 10:00 të së hënës.
Por gazetarja e Report Tv Esiona Konomi tha se shkak për shtyrjen e seancës dhe mos hedhja në votim e pr/ligjeve në rendin e ditës ishte mungesa e kuorumit nga PS.
PS nuk i kishte 71 kartona jeshil që duhen për të votuar disa nga pr/ligjet në rend dite, ndërsa për ndryshimet në kodin zgjedhor për votën e diasporës duhen 84 vota, që as këta nuk ishin.
Tensione te tjera
Nga foltorja Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Ramën se e ka dërguar Erion Veliajn në paraburgimin e Durrësit për ti mbyllur gojën, me Xhevdet Troplinin, një eksponent i njohur i botës së krimit. Kryetarja e Kuvendit i ndërpreu fjalën pasi ishte jashtë procedure, ndërkohë që Garda rrethoi foltoren. Spiropali vendosi 5 minuta pushim.
Pas 5 minutave Berisha rifilloi fjalimin e tij në foltore duke përsëritur kërkesën që Rama të jetë i pranishëm në Kuvend.
““Kërkoj që Edi Rama të rikthehet në Tiranë në mënyrë urgjente dhe që të mos qëndrojë në Durrës ku ka dërguar edhe Erion Veliajn. Ka dërguar atje Xhevdet Troplinin, duke kërcënuar. Rama të ndërpresë presionin ndaj të burgosurit Erion Veliaj. E çoi në Durrës për ta trajtuar Troplini. Do përgjigjet Rama nëse ju ndodh gjë prokurorëve e gjyqtarëve.” tha Berisha.
Elisa Spiropali: Kjo nuk është seancë gjyqi.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali i ndërpreu fjalën edhe kryetarit të grupit parlamentar Gazment Bardhi i cili kërkoi që kryeministri Rama të shkarkojë Erion Veliajn.
Elisa Spiropali: Respektoni prezumimin e pafajësi.
Gazment Bardhi: Mos e vuaj kaq shumë arrestimin e Erion Veliajt. Në vend që ti kërkoni kryeministrit shkarkimin e një hajduti vini na flisni për dinjitetin e Veliajt
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 për akuzën e korrupsionit pasiv në 9 raste dhe pastrim parash. Dje GJKKO konfirmoi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ ndërsa ndryshoi masën e sigurisë nga arrest shtëpie në detyrim me paraqitje për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa. Në detyrim me paraqitje, janë lënë dhe 5 biznesmenë të cilët akuzohën për korrupsion aktiv.