Fatmir Limaj ka risjellë edhe njëherë pamjet e betimit të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin e ka lexuar vetë.
Me këtë video, kryetari i Nismës Socialdemokrate ka uruar festën e shenjtë të 28 Nëntorit.
Ai ka thënë se festa e 28 Nëntorit simbolizon tri ngjarje me rëndësi jetike për ekzistencën e kombit shqiptar.
“28 Nëntori i Krujës së Skënderbeut, kur u vunë themelet e para të rrugës së cilës kombi ynë do ta ndiqte përjetësisht”, tha Limaj.
“Nëntori i dytë, kur në Vlorën historike u ringrit flamuri për të shpallur shtetin nga Ismail Qemali”.
“Dhe përfundimisht, me Nëntorin e tretë, i cili personifikohet me komandantin tonë legjendar Adem Jashari, i cili jo vetëm se pati ditëlindjen me këtë datë, por edhe shpalli veprën e tij më 28 Nëntorin e vitit 1997, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke shënuar faqet më të arta të historisë moderne”, u shpreh ai.