Në kuadër të 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, një ngjarje e rëndësishme për shqiptarët, historianët theksojnë rëndësinë e kësaj dite si themel të shtetit të pavarur shqiptar, por edhe sfidat dhe humbjet e shkaktuara nga ndarjet territoriale dhe ndërhyrjet ndërkombëtare.
Historiani Shkodran Imeraj, në një intervistë për EO, theksoi se shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte një nga ngjarjet më të mëdha për shqiptarët, por e shoqëruar me rrethana të jashtëzakonshme, si Luftërat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore.
Imeraj tha se shpallja e Pavarësisë në 1912 ka pasur një ndikim të dyfishtë, ajo ka themeluar shtetin shqiptar, por ka sjellë edhe tragjedi, pasi një pjesë e madhe e territoreve dhe popullsisë shqiptare mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë, siç ishin Çamëria, Kosova dhe territore të tjera.
“Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912 është një ndër ngjarjet më të mëdha për shqiptarët nga se u vunë themelet e shtetit të pavarur shqiptar, i cili edhe pse u shpall në rrethana shumë të jashtëzakonshme kishim luftërat ballkanike dhe pas luftërave ballkanike filloj edhe lufta e parë botërore e cila fillon me 1914 dhe përfundon 1918, pra konsiderojmë që është një ndër ngjarjet më të mëdha dhe kjo shpallje e pavarësisë, më 28 nëntori të vitit 1912 do të vuloset në vitin 1919 kur konferenca e paqes e Parisit do t’ia njeh të drejtat e themelimit të shtetit Shqiptar, dhe dy vite më pas me 1921 e kemi njohjen e shtetit shqiptar nga ana e shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila ishte fuqia kryesore vendimmarrëse në politikën ndërkombëtare. Por, në të njëjtën kohë pavarësia e shtetit shqipta,r respektivisht shpallja e Pavarësisë së shtetit shqiptar është po themi edhe një ngjarje tragjike për shqiptaret për shkak se mbeti jashtë shtetit amë shqiptar gjysma më e madhe e territorit dhe popullsisë shqiptare, pra Greqia e aneksoi Çamërinë, dhe Kosova lindore mbeti nën mbretërinë serbe kroatë sllovene dhe pjesa e Malit të Zi mbeti ose territori shqiptar mbetën në kuadër të Malit të Zi. Përveç që është si ngjarje e madhe që ishte themelimi i shtetit shqiptar të njëjtën kohë është edhe ngjarja po themi kështu tragjike për shkak se gjysma e territorit dhe gjysma e popullsisë së Shqipërisë mbeti jashtë kufijve të shtetit Kombëtar Shqiptar”, ka thënë ai për EO.
Ai theksoi se sot shqiptarët janë më mirë se më parë, duke pasur një Shqipëri të konsoliduar dhe të fuqizuar në arenën ndërkombëtare, anëtare të NATO-s dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ndërsa, situata për shqiptarët në rajon është më problematike, veçanërisht për ata në Luginën e Preshevës dhe Çamëri, ku ata përballen me diskriminim dhe dhunë sistematike.
Imeraj po ashtu theksoi se zgjidhja përfundimtare për shqiptarët mbetet bashkimi kombëtar, duke i parë kufijtë e rinj të mundshëm dhe një shtet të vetëm shqiptar si mundësinë më të mirë për stabilitet dhe siguri.
“Mendoj që 112 vjet pas shpalljes së shtetit shqiptar, shqiptarët janë më mirë se sa kanë qenë për faktin se Shqipëria tashmë është edhe kryeqendër ballkanike e politike së organizimeve ndërkombëtare qoftë Samiteve si të NATO-s po ashtu edhe të Bashkimit Evropian, e kemi vend i cili është anëtar i plotë me drejta të barabarta në NATO dhe tashmë vetëm i ka hapur edhe kapitujt po themi kështu përfundimtar drejtë Anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Kosovën po ashtu e kemi shtet të pavarur dhe sovran i cili dita ditës është duke e përmbyllur po themi atë ndërtimin edhe të institucioneve të saja në arenën ndërkombëtare ose po konsolidohet pavarësia e Kosovës”, tha ai.
Imeraj tha se shqiptarët në Maqedoni i kemi element shtet formues sepse atje është e garantuar e drejta e tyre me kushtetutë dhe gjuhën shqipe e kemi edhe gjuhë zyrtare mandej kemi pasur fatin që ta kemi edhe një kryeministër shqiptar, në Mal të Zi po ashtu shqiptarët i kemi në situatë të mirë të volitshëm, edhe atje patëm fatin që të kemi përkohësisht një kryeministër, zëvendës ministra shqiptar, pra edhe shqiptarë në Mal të Zi janë pjesë e institucioneve ose janë element shtet formues i shtetit malazez pak më keq ose më keq qëndrojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës respektivisht të Kosovës lindore të cilat dita ditës janë duke u përballur me një dhunë sistematike të regjimit të Vuçiqit.
Drejtoresha e Institutit të Historisë, Teuta Shala-Peli, gjithashtu u shpreh për rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar se, me gjithë rëndësinë e kësaj ngjarjeje, ka ende shumë punë për të bërë në shkencën historike dhe në përpjekjet për të realizuar të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës.
“Për temat që kanë rëndësi të nivelit kombëtar asnjëherë nuk mund të themi se janë shkuar mjaftueshëm dhe janë thënë të gjitha faktet dhe argumentet. Në rastin konkret shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dmth është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e popullit tonë, megjithatë nëse e shikojmë epilogun e ngjarjeve të cilat i kanë parapri kësaj date dhe ato pasojat pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë mund të themi se ka akoma, duhet të shkruhet dhe duhet të publikohet monografi përmbledhje me dokumente qoftë edhe përmbledhje nga aktivitete të ndryshme shkencore të cilat organizohen për nderë të kësaj date për faktin se nuk ishin pritshmërinë nuk erdhi rrjedha e ngjarjeve e tregoj një fakt që populli shqiptar nuk e mori atë që e priste, pra një pjesë e madhe mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë edhe vazhdojmë akoma të përballemi me përpjekjet për realizimin e të drejtave tona. Shqiptarët në Kosovë gjenden në një pozicion më ndryshe mirëpo shqiptarët në vise tjera jashtë shtetit shqiptar dhe jashtë Kosovës janë një pozicion që duhet akoma të punohet edhe më shumë në atë drejtim”, ka thënë ajo.
Shala-Peli, tha gjithashtu se instituti ka organizuar aktivitete dhe ka publikuar monografi që përkujtojnë kontributin e personaliteteve që luajtën një rol të rëndësishëm në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ajo theksoi se, edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë dhe po konsolidohet si shtet i pavarur, shumë punë mbetet ende për të bërë, veçanërisht për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilët vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe sfida të tjera.
“Instituti i Historisë në fokus të studimeve dhe në fokus të punës kërkimore shkencore i ka edhe ngjarjet madhore, ngjarjet të cilat kanë karakter kombëtar nuk kufizohen vetëm me ngjarje që janë në kuadër, që kanë ndodhur në kuadër të kufijve të imponuar se dihet me rastin e përfundimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës një pjesë e madhe mbetën jashtë kufijve aktual të Shqipërisë, prandaj vazhdimisht Instituti jonë është angazhuar të organizoj aktivitete konferenca, simpoziume të cilat janë ndërlidhë me ngjarjet që kanë ndodh para shpalljes së pavarësisë dhe ato që kanë pasuar pas saj “, tha Shala Peli.
“Siç dihet konferenca e Londrës ka filluar punimet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ka vazhduar deri në vitin 2013 me vendosjen e kufijve, pra në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës një pjesë e madhe mbet jashtë atyre kufijve dhe ajo pjesë dhe populli shqiptar u përball me pasoja të cilat tashmë janë të njohura sepse histografia jonë tashmë ka punuar në atë drejtim dhe ka punime dhe publikime të cilat flasin për gjendjen ekzistuese të popullsisë ose të viseve shqiptare të cilat mbetën jashtë kufirit pas konferencës së ambasadorëve të Londrës. Kosova është në një pozicion më të mirë për shkak se në kemi shpall pavarësinë, po punohet por duhet të punohet akoma”.
Drejtoresha Shala-Peli thotë se 28 nëntori është një festë që sjell një mesazh shumë të mirë , sipas saj është një festë që ka karakter kombëtar, pavarësisht pjesës ose kufijve të imponuar politik kjo festohet dhe është tradicionale që festohet jo vetëm në Shqipëri, por kudo që ka Shqiptarë.