Mësuesi i gjuhës angleze, Muhamed Hajredinaj që nuk e lejoi nxënësen 11-vjeçare të mbante mësimin për shkak se po mbante plisin dhe kishte të veshura rrobat me motive kombëtare për festën e 28 Nëntorit, është pezulluar nga puna.
Kështu ka bërë të ditur drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo ka thënë se me shumë keqardhje ka marrë lajmin për incidentin e paparanueshëm.
Postimi i saj:
O PËRDHOSJES SË SIMBOLEVE KOMBËTARE
Të dashur qytetarë,
Me shumë keqardhje kemi marrë lajmin për një incident të papranueshëm, ku një profesor gjatë mësimdhënies ka shkelur rëndë respektin ndaj simboleve tona kombëtare. Në një ditë festive, kur duhej të ndihmonte fëmijët të shijonin dhe ndiheshin krenarë për identitetin e tyre, ai e hodhi flamurin kombëtar në koshin e mbeturinave.
Ky veprim është një shkelje e rëndë e çdo morali, etike dhe norme juridike.
Kosova është shtet demokratik dhe laik, ku simbolet kombëtare gëzojnë respekt të pakushtëzuar në çdo institucion, dhe askush nuk ka të drejtë t’i përdhosë ato.
Në këtë rast, ju njoftoj se profesori është pezulluar menjëherë nga detyra dhe do të përballet me pasojat ligjore për këtë sjellje të papranueshme.
Kosova e ka ndërtuar shtetin e saj mbi vlerat e respektit dhe krenarisë për simbolet kombëtare, dhe asnjë individ nuk duhet të ketë mundësinë t’i shkelë ato, e asnjëherë në institucionet e arsimit.
Le të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të simboleve tona kombëtare!
I shqetësuar nga sjellja e mësuesit, Agim Kita, babai i 11-vjeçares, tha se me t’u lajmëruar nga vajza për largimin e saj nga klasa, ka paraqitur ankesë në shkollë kundër mësuesit Hajredinaj.
Kita beson se veprimi i mësuesit është i shtyrë nga bindjet fetare të tij.
Shkolla do mbante programin festiv per nderë të pavarësisë së Shqipërisë dhe objekti ishte i stërmbushur me nxënës te cilët ishin të vesh kuq dhe zi, por përse arsimtari perzgjedhi pikërisht vajzën e Kitës që ta përjashtonte?
Për sjelljet e papërshtatshme të mësuesit të anglishtës janë në dijeni edhe drejtuesit e shkollës.
Zëvendësdrejtori Berisha thotë se ankesa ndaj mësuesit Muhamed Hajredinaj janë pranuar edhe më parë për probleme të natyrës së ngjashme.
Ai tha se lëndët kundër mësuesit shkolla i ka adresuar në Ministrinë e Arsimit, të cilët ende nuk kanë nxjerrë vendim përfundimtar.
11-vjeçarja u rikthye sërish në klasë gjatë ditës së mërkurë për të vijuar mësimin.
Kjo megjithatë ndodhi vetëm pas insistimit të zëvendësdrejtorit, i cili u informua nga prindi i saj për ngjarjen.
Muhamed Hajredinaj, mësues në shkollën “Xhemajl Mustafa”, sipas të dhënave publike, figuron drejtues i një biznesi privat që merret me kurse të gjuheve të huaja, përfshirë anglishten dhe arabishten, si dhe me përkthime të tjera profesionale.
Progres