Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.S., dhe T.D., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Përdorimi i paautorizuar i pasurisë” dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.S., më 15.12.2023 në Prizren, rreth orës 22:30, pa autorizim përdorë pasurinë tjetër të luajtshme e cila i është besuar atij në detyrë apo në të cilat ka qasje për shkak të shërbimit apo punës së tij apo i jep pasurinë e tillë në shfrytëzim personit tjetër për shfrytëzim të paautorizuar, ashtu që duke punuar në cilësinë e gjinekologut në Repartin e Gjinekologjisë-Obstetrike në Spitalin e Prizrenit, ka pranuar për lindje pacienten-shtatzënë A.R., nga fshati Mushnikovë, e cila ka qenë në përcjellje të gjinekologes private T.D., edhe pse ishte mjek kujdestar në detyrë së bashku me mjekun tjetër M.B., nuk ndërmerr veprime zyrtare, të cilat ka pasur për detyrë t’i ndërmirrte në parandalimin e mjekes T.D., që të hynte në sallën e lindjes dhe ta kryente lindjen.
Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Përdorimi i paautorizuar i pasurisë” sipas KPRK-së.
Ndërsa, e pandehura T.D., më 15.12.2023 në Prizren rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, pa pasur autorizimet ligjore kryen trajtime mjekësore, gjinekologjike duke mos qenë mjeke pranë Spitalit të Prizrenit, me ç’rast pas ekzaminimit të pacientes A.R., në ambulancën e saj private, ka konstatuar se rasti është për lindje, ashtu që e shoqëron pacienten në fjalë deri në Repartin e Gjinekologjisë-Obstetrike në Spitalin e Prizrenit, dhe pa lejen e mjekëve kujdestarë F.S., dhe M.B., pas pranimit në repart duke mos lejuar mjekun F.S., që të bëjë ekzaminimin e pacientes, si dhe përkundër reagimit të mjekut tjetër kujdestar M.B., ka shkuar drejt në sallën e lindjes dhe ka kryer lindjen e pacientes.