Dëshmitari Avni Selimi tha se i akuzuari për krime lufte në Vushtrri, Slagjan Trajkoviq ka bërë rojë derisa po digjej shtëpia e axhës së tij, ku brenda saj kishte familjarë.
Ai ka deklaruar se babai dhe axha i tij, ishin ndalur në rrugë nga i akuzuari Trajkoviq, i cili u kishte thënë t’i ngrisnin duart lart dhë nën kërcënimin e armës i ka sjell deri te shtëpia e axhës së tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Më 27 mars 1999, jena konë në lagje tone. Me djalin e mixhës tem B.S dhe baba jem H.S e ka pa një kojshi O.O, në kohë lufte atëherë ushtria e policia delshin nëpër fshtara rend dhe ka dasht me dal me pyt O. se çka ka tek ta, kur u zatet me O.O. Tu bo llaf o ardhë Sladan Trajkoviqi me automat në dorë, i veshur polic, vet i dyti o kon, i ka shti me i qu durtë përpjet, automatat në qafë jau ka shti dhe kanë vazhdu me ardhë te shpia e mixhës madh, i ka shti Sladani babën edhe O.O”, ka thënë dëshmitari Selimi.
I njëjti pohoi se këtë ngjarje ai dhe B.S e kanë parë me sytë e tyre.
Ndërkaq, më vonë ai tha se tek shtëpia kishin ardhur policë të tjerë, përfshirë edhe babain e tani të akuzuarit Trajkoviq dhe kishin kontrolluar shtepitë e axhallarëve të tij.
“Mas një kohe ia kanë dhënë flakën shtëpisë ku i kan shti O.O dhe H.S me u kallë në shtëpi”, ka thënë Selimi.
Po ashtu ai ka pohuar se i akuzuari Trajkoviq ka qenë te shtëpia i axhës së tij L.S dhe ka qëndruar roje derisa shtëpia po digjej e që brenda saj kishte familjar të tij, ku në po të njejtin vend ka ndërruar jetë gruaja e axhës, tani e ndjera H.S.
“E ndjera H.S ka qenë në ballkon, unë me sy të mi se kam pa, baba ka dhënë deklaratë atëherë në UNMIK ku ka thanë se Sladani e ka goditë me thikë H.S dhe e ka shti në shtëpi me u kallë në sobë”, ka shtuar dëshmitari.
Ai tha se gruan e axhës e kishin nxjerrë familjarë të tij të vdekur nga shtëpia mirëpo kufoma nuk ishte djegur.
Dëshmitari Selimi, ka pohuar se ishte takuar me djalin e të akuzuarit në Vushtrri, i cili kishte ardhur me një shqiptar tek ai dhe duke biseduar e kishte kuptuar se është djali i të akuzuarit.
“Ti koke djali i kriminelit, a e din që baba yt ka ba kështu kështu, kallxoj Sladanit, filan fisteku Avni Selimi më ka nxanë dhe më ka thanë që je djali i kriminelit”, ka thënë mes tjerash dëshmitari, teksa ka rrëfyer takimin me djalin e Trajkoviq.
Në seancën e sotme, mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiç ka ballafaquar dëshmitarin Selimi me disa deklarata të tij të dhëna më herët.
Ai ka kërkuar të di pse në deklarimet e mëhershme të dhëna në Prokurori dëshmitari kishte thënë se Trajkoviq i ka mbajt për duar, ndërsa sot thotë se kanë qenë me duar të ngritura lart.
Dëshmitari tha se përgjigja është se ata (referuar O.O dhe H.S) kanë qenë e duar lartë çdo herë, vetëm nëse ka qenë ndonjë lëshim në deklaratat e mëhershme.
Tutje, Vasiç ka kërkuar nga gjykata të ia sigurojë edhe një deklaratë që dëshmitari kishte dhënë në Polici rreth vitit 2017/2018, të cilën ka thënë se mbrojtja nuk e posedon.
Paraprakisht, në sencën e sotme dëshmin e tij e ka dhënë dëshmitari, Sylejman Mustafa.
Ai ka pohuar se tani të akuzuarin Trajkoviq e ka parë në fshatin Prolluzhë, tek stacioni i trenit, ku së bashku me serbë të tjerë, të pajisur me flamuj serb dhe foto të Millosheviqit dhe Arkanit kanë kënduar këngë nacionaliste serbe.